“Ura do të hapet, nuk ka asnjë arsye që të mos hapet. Tash, kur do të hapet është çështje e vlerësimit të ekspertëve”.

Kështu ka deklaruar ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, gjatë qëndrimi të tij në Mitrovicë të Veriut, kur u pyet nëse ura e Ibrit duhet të hapet për qarkullim të veturave.

Sveçla e ka mbrojtur aksionin e autoriteteve të Kosovës të ndërmarrë më gjatë së hënës (dje), kur u mbyllën nëntë degë të Postës së Serbisë në veri.

“Çfarë janë duke bërë institucionet e Kosovës është shumë normale. Ato nuk kanë pasur licencë”, ka theksuar Sveçla për Radion Evropa e Lirë.

Në vizitën e tij në urën e Ibrit, Sveçla shoqërohej nga ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendësministri Hysen Durmishi.

Deputetja e Listës Guxo, Jeta Statovci, ka publikuar edhe një video në rrjetin social Facebook, ku shihen duke u bërë matjet e stabilitetit të Urës së Ibrit.

Qeveria e Kosovës ka nisur konsultimet me partnerët e saj ndërkombëtarë për rivitalizimin e urës dhe ua ka prezantuar atyre një plan për këtë.
Megjithatë, shtetet e QUINT-it e kanë kundërshtuar planin e qeverisë.