Xherdan Shaqiri flet në konferencë për herë të parë pas rikthimit te Baseli
Xherdan Shaqiri është rikthyer. Pas paraqitjes së parë të hënën mbrëma para qindra tifozëve të Baselit, Shaqiri të martën u paraqit për herë të parë në konferencë për shtyp. Ai iu përgjigj të gjitha pyetjeve të gazetarëve.
32-vjeçari ishte në humor të mirë dhe shkaktoi disa të qeshura. Por ai ishte i qartë në synimet që ka me Baselin. E tregoi që në stërvitjen e parë me fanellën e Baselit. Ai shfaqi cilësitë e tij gjatë stërvitjes.
“Unë jam gjithmonë shumë pozitiv dhe do të mbetem gjithmonë i tillë. Baseli gjithmonë kërkon suksesin, ashtu si unë. Është klubi më i madh në Zvicër. Unë dua të fitoj tituj këtu. Por edhe unë jam me këmbë në tokë. Sigurisht Baseli nuk ka fituar asnjë titull në vitet e fundit, kështu që ju duhet të qëndroni me këmbë në tokë. Qëllimi është që klubi të kthehet aty ku ishte”, ka thënë Shaqiri të martën në konferencë.
Shaqiri ndërpreu kontratën me Chicago Fire dhe u rikthye te Baseli pas 12 vjetësh. Shaqiri karrierën si futbollist e filloi te Baseli në vitin 2007. Në vitin 2012, u largua nga Baseli për t’u transferuar te Bayern Muencheni. Karrierë bëri edhe tek Interi, ndërsa më vonë edhe në Stoke City, Liverpool, Lyon dhe së fundmi ishte pjesë e Chicago Fire. Ishte kapiten i skuadrës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shaqiri u përgjigj nëse i është premtuar shirit i kapitenit.
“Si lojtar, kam qenë gjithmonë kapiten, pavarësisht nëse e kam pasur apo jo shiritn. Unë do ta shikoj të ardhmen. Trajneri vendos nëse do të bëhem kapiten, por është herët për të folur për këtë”, ka theksuar Shaqiri.
Ai ka shtuar se ka pak rëndësi nëse do ta mbajë shirin e kapitenit te Baseli.
Synimet e tij- trofetë me Baselin.
“Mendoj se pritshmëritë në futboll janë normale. Gjithmonë kam qenë në gjendje të përballoj presionin. Mendoj se mund ta ndihmoj Baselin të ecë përsëri përpara. Nuk e mendoja se do të vinin kaq shumë njerëz. Ishte shumë e veçantë dhe shumë emocionuese”, thotë Shaqiri.
Ai pranon se në Chicago nuk kaloi periudhë të mirë. Por thekson se për të fillon një kapitull i ri.
“Kam pasur eksperiencat e mia. Shumë njerëz e shohin atë negativisht. Kam kaluar mirë në Chicago. Unë marr gjëra pozitive nga kjo eksperiencë. Tani fillon një kapitull i ri”, ka thënë ish-futbollisti i Zvicrës.
Ai nuk ka mundur të ndante momentet më të mira të karrierës së tij. Thotë se në të gjitha klubet ka përjetuar emocione të mëdha.
“Është e vështirë të ndash një moment. Kam luajtur për shumë klube të mira. Kam fituar ‘tripletën’ me Bayernin në vitin tim të parë. Ishte e jashtëzakonshme. Koha ime në Milano ishte po ashtu e paharrueshme. Kalova shumë mirë edhe në Stoke dhe mësova shumë gjëra. Liverpooli ishte gjithashtu ishte i mrekullueshëm. Vërtet e vështirë të ndash një moment. Por me vete merrni edhe gjëra negative, si rënia me Stoke Cityn ose periudha jo aq e suksesshme me Chicagon. Të gjitha këto gjëra ju formojnë si personalitet, qofshin pozitive apo negative”.
Shaqiri ka ritheksuar se Baseli ishte shtëpia e tij e vetme në Zvicër.
Ai po ashtu ka treguar se tashmë ka vendosur të jetojë në shtëpinë e prindërve të tij në Kaiseraugst.
“Shpresoj të mos ketë shumë njerëz që i bien ziles. Ndihem rehat atje në shtëpinë time të vjetër. Fanella ime është ende e varur në dhomën time. Është mirë ta shohësh çdo ditë”, ka thënë Shaqiri.
Shaqiri është ndarë i kënaqur për pritjen e ngrohtë që i është bërë të hënën. Ai shpreson të pritet ngrohtë edhe në disa prej stadiumeve të Zvicrës.
I pyetur për formën, Shaqiri ka pranuar se nuk është ende 100 për qind. Por ka shtuar se në Basel është kthyer më i pjekur.
“Siç është ajo shprehja ‘si vera e kuqe, sa më e vjetër aq më e mirë’”.
Shaqiri ka thënë se për rikthimin e tij te Baseli ka marrë përgëzim edhe nga kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka.
“Ai po ashtu dëshiron që Baseli të jetë sërish i suksesshëm dhe të kthejë lavdinë e dikurshme”.
Shaqiri nuk e ka zbuluar pagën e tij. Por ai ka refuzuar të zbulojë pagën e tij.
Edhe drejtori sportiv, Daniel Stucki, ka reaguar duke theksuar se Shaqiri vlen më shumë se paratë.
“Shaqiri ka vlerën e arit për ne. Ne gjithmonë shikojmë se cilët ish-lojtarë me përvojë janë interesantë për ne. Për Xherdanin kemi folur kohë të gjatë. Kur ai ndërpreu kontratën, ne e dinim se do të funksiononte. Është sukses i madh për Baselin që arritëm ta rikthejmë Shaqirin. Askush tjetër përveç Baselit nuk është i përfshirë në pagesat e pagave për Shaqirin. Nuk ka palë të tretë që paguan për të”, ka thënë Stucki.
Shaqiri me Baselin ka nënshkruar kontratë trevjeçare. Ai pritet të paraqitet për herë të parë në ndeshjen kundër Yverdonit.