MERXHAN JAKUPI

Sipas studiuesit dhe historianit hebre, Nueh Harari, fenomeni i shfaqjes së divergjencave jetësore ndihet sidomos në shoqërinë post-moderne dhe post-sekulare perëndimore. Ndërkaq, autori Emanuel Angtihton, në veprën e tij epokale “Përplasjet e qytetërimeve”, njerëzimin e ka ndarë në dy pole: WEST dhe REST. Në botën e pasur perëndimore përfshihet mbi 70 për qind e bruto prodhimit, ndërsa në botën REST, vetëm 30 për qind.

KU FSHIHET LUMTURIA

Në botën e quajtur WEST, ka begati, standard të lartë, jetë luksoze, por njeriu jeton me shumë brenga, është i pakënaqur dhe jo i lumtur. Në këtë botë perëndimore post-moderne, ka shumë raste të vetëvrasjeve nga konsumi i tepërt i ushqimit, mbipesha dhe sëmundjet moderne, si infarkti dhe kanceri. Njerëzit e botës së quajtur REST, më shumë vdesin nga sëmundjet e pandemisë, nga uria dhe luftërat.
Sipas psiko-analistit bashkëkohor, Skot Pek, antropologët, sociologët, psikologët dhe psiko-analistët akoma nuk e kanë definuar përfundimisht nëse ka jetë më të lumtur në këtë shekull dhe në shekullin e kaluar njeriu post-modern e post-sekular perëndimor apo njeriu i “botës së tretë” e të pazhvilluar.
Historiani hebre, Nueh Harari, në veprën e tij “Një histori e shkurtër e njerëzimit – homosapiensit”, shkruan se nuk dihet nëse njerëzimi ka qenë më i lumtur në epokën e mesjetës apo në atë të epokës post-moderne. Në këtë të fundit, pos sëmundjeve të tjera, shkaktarë të vdekjeve janë edhe aksidentet në trafik.
Filozofi i famshëm gjerman, NICE, duke shpalosur historinë 5 mijë vjeçare të njerëzimit, thotë se në të gjitha epokat, njerëzimi ka ecur dhe ka evoluar mbrapsht, andaj, sipas tij, njerëzimi duhet të fillojë nga e para, nga zeroja.

ZHDUKJA E POPUJVE

Sfidat dhe problemet e shoqërisë post-moderne perëndimore janë në të shumtën e rasteve mosha ose mplakja e popullatës, rënia e natalitetit, divorcet dhe flijimet e familjes për të bërë karrierë. Femrat dhe meshkujt më së shumti duan të mos kenë kurorë. Të jetojnë me një partner, pa kurorë dhe pa pasardhës. Sot, kjo sindromë e shoqërisë post-moderne perëndimore është një nga ato të degjenerimit, dekadencës dhe zhdukjes së shtresave të shoqërisë.
Sipas disa sondazheve dhe studimeve, në shumë shtete të Evropës Perëndimore, po edhe në ato Lindore, ka më shumë mortalitet sesa natalitet. Kjo do të thotë se më pak lindin, kurse më shumë vdesin. Sipas demografëve, nëse vazhdon ky trend, njeriu i bardhë, post-modern do të shkojë drejt zhdukjes.
Në të ardhmen, siç parashihet, popujt e vegjël evropianë do të zhduken. Kjo zhdukje po i kanoset edhe disa popujve të vegjël në Ballkan. Edhe në këtë pjesë të Evropës, ku lindshmëria ka qenë e madhe, dekadave të fundit, mortaliteti e ka çrregulluar balancën e mëparshme. Shqiptarët në këtë rrafsh kanë prirë dhe ka qenë fakt se ata kanë pasur një popullatë të moshës së re, në saje të natalitetit të lartë. Por kjo gjendje tashmë ka ndryshuar. Në këtë drejtim dalloheshin shqiptarët në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore. Dekadën e fundit me popullatë më të re dhe natalitet më të lartë ishte Kosova dhe shqiptarët e Maqedonisë Perëndimore, por shkaku i dyndjeve ekonomike dhe angazhimit të gruas shqiptare në punë, kemi rënie drastike të natalitetit.