Janevska: Avancimi i arsimit profesional përmes mësimit praktik për aftësitë e gjelbra përmirëson punësueshmërinë e nxënësve

Nxënësit e shkollave profesionale përfitojnë mundësi për mësim praktik me fokus përforcimin e aftësive të gjelbra, përmes partneritetit të lidhur mes UNICEF-it dhe Grupacionit NELT. Në zyrtarizimin e sotëm të bashkëpunimit, ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska theksoi se nevoja për përshtatjen e arsimit në ndërtimin e shkathtësive të gjelbra tek të rinjtë është gjithnjë e më e theksuar në kushtet e sfidave të mëdha mjedisore dhe rritjes së ndërgjegjësimit të kompanive për çështjet të lidhura me mbrojtjen e mjedisit jetësor.
“Kjo inicijativë do t’u mundësojë nxënësve të përfitojnë përvojë dhe njohuri të vlefshme, të cilat do t’i bëjnë ata më konkurrues në tregun e punës, njëkohësisht duke kontribuar në një të ardhme më të qëndrueshme për të gjithë ne. Një bashkëpunim i këtillë është shumë i rëndësishëm edhe nga një aspekt tjetër – kompanitë tregojnë përgjegjësinë e tyre sociale ndaj komuniteteve lokale dhe përkushtimin ndaj praktikave mjedisore. Gjithashtu kjo inkurajon edhe kompanitë tjera që të bëjnë të njëjtën gjë”, theksoi ministrja Janevska.
Iniciativa lokale është pjesë e partneritetit global ndërsa për Maqedoninë e Veriut janë ndarë 330.000 dollarë amerikanë për një periudhë trevjeçare.
“Arsimi i mesëm profesional, veçanërisht ai dual, është vendi i duhur ku duhet të zbatohet kjo nismë, në kuadër të trajnimit praktik, ku nxënësit fitojnë aftësi në kushte prodhimi real. Në kompanitë që u ofrojnë nxënësve punë praktike, në mënyrë më efektive mund të aftësohen për teknologji dhe praktika të reja të gjelbërta”, theksoi ministrja Janevska.
Është planifikuar të ofrohen mundësi të mësimit praktik dhe pjesës së praktikës në ndërmarrjet publike dhe private në të gjithë vendin për mbi 500 nxënës të arsimit profesional, të cilët po përgatiten për karrierë në shkencat natyrore, qëndrueshmërinë mjedisore dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike.
“Duke përforcuar kuadrin e mësimdhënies praktike, ne jo vetëm që do t’i ndihmojmë nxënësit profesionalë të ndërtojnë aftësi të gjelbra të zbatueshme gjerësisht, por gjithashtu do të kontribuojmë në zhvillimin e fuqisë punëtore që do të aftësohet për t’u përballur me sfidat urgjente mjedisore,” theksoi , përfaqësuesja e UNICEF-it, Lesli Miller.
Iniciativa do të ndihmojë nxënësit e shkollave profesionale të fitojnë aftësi të gjelbra në lidhje me qëndrueshmërinë mjedisore, ruajtjen e natyrës dhe veprimin e klimës, duke u mundësuar atyre që praktikisht të zbatojnë njohuritë në vendin e punës në të ardhmen në fusha të ndryshme, nga menaxhimi i mbetjeve dhe prodhimi i energjisë së gjelbër e deri te proceset e prodhimit të qëndrueshëm, efiçiencës së energjisë dhe ekonomisë rrethore në ndërtimtari.
Iniciativa do të jetë edhe një tjetër inkurajim për nxënësit e klasës së nëntë për të zgjedhur arsimin e mesëm profesional, i cili nga viti në vit shënon rritje të numrit të nxënësve të regjistruar. Këtë vit shkollor, 2024/2025, rreth dy të tretat e nxënësve pas përfundimit të arsimit fillor zgjodhën shkollën e mesme profesionale.