Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka thënë se marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë, dhe se BE-ja po punon që i gjithë procesi të përshpejtohet.
Pas takimit që zhvilloi në objektin e Qeverisë, ai ka bërë të ditur se do të ketë edhe një takim në kuadër të dialogut, por nuk ka dashur ta bëjë të ditur datën.
“Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme, asnjë palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje. Po punojmë me Kosovën dhe Serbinë që procesi të përshpejtohet. Ajo është pjesë e negociatave të Kosovës me BE-në dhe të Serbisë me BE-në, pra i shtohet i rëndësia”, ka deklaruar Lajçak.
“Jemi marrë vesh për një datë për takim, por nuk dua ta bëj të ditur”, ka thënë ai, për një takim mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut.
Po ashtu, ai ka bërë të ditur se gjatë takimit kanë diskutuar edhe për hapjen e Urës së Ibrit, duke përsëritur se ura duhet të hapet në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
“Biseduam se sa progres është arritur nga takimet e fundit. Diskutuam çështjen e Urës së Ibrit dhe hapjen e saj për transport. Qëndrimi i BE-ës është i mirënjohur, duhet të hapet por hapja duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës”, ka thënë Lajçak.