Shqipëria luan nesër takimin e dytë të vlefshëm për Ligën e Kombeve ndaj Gjeorgjisë, në orën 20:45 në stadiumin kuqezi “Air Albania”.

Pas fitores fantastike në “Epet Arena” ndaj Ukrainës, “Kuqezinjtë” do të kërkojnë rezultatin e radhës pozitiv, teksa trajneri Silvinjo dhe mesfushori Kristjan Asllani dolën pasditën e sotme në konferencën zyrtare për media.

Trajneri Silvinjo tregoi se atmosfera është shumë e mirë dhe të gjithë lojtarët do të jenë të gatshëm për sfidën e nesërme ndaj Gjeorgjisë.

Përsa i përket kundërshtarit, tekniku kuqezi tha se Gjeorgjia është një skuadër shumë e fortë, por nënvizoi se Shqipëria do të futet në fushë për rezultat pozitiv.

“Futbolli të konsumon energji. Dua të rikujtoj një shprehje të Klop: Nëse nuk bën gabime, nuk ke nevojë të kthehesh të mbrosh. Gjeorgjia ka bërë një Europian shumë të mirë, një ekip shumë i bukur, i harmonizuar dhe mendoj se do të bëjmë një lojë shumë të bukur kundër tyre”, ka thënë ai.

Edhe Asllani bëri me dije se Shqipëria do të futet për rezultat pozitiv, derisa theksoi se nuk kanë frikë nga kundërshtari.

“Të dy skuadrat vijnë nga një fitore. Gjeorgjia ka marrë një fitore të thellë, por ne do ta respektojmë kundërshtarin. Nuk do të kemi frikë, do të kemi një stadium plot me tifozë, i falënderoj. Gjeorgjia është një ekip i madh, po rritet. E kemi parë në Europian dhe tani. Ndeshja me Ukrainën ka mbaruar, shpresoj dhe besoj të bëjmë pikë nesër”, tha mesfushori shqiptar.