Opozita në Shqipëri protestë kundër arrestimit të deputetit Salianji, i vë zjarrin Parlamentit: Askush nuk na e mbyll dot gojën (VIDEO)

Opozita në Shqipëri iu është rikthyer protestave në seanca plenare pas burgosjes së kolegut të tyre, Ervin Salianji, i dënuar me 1 vit burg për shpifje.
Duke e konsideruar arrestimin e Salianjit politik, deputetët e opozitës në shenje revolte rrethuan foltoren e parlamentit, duke krijuar kaos.
Më pas morën karriget e tyre dhe i nxorrën jashtë sallës së parlamentit duke u vënë flakën. Simbolika e këtij veprimi sipas Kreut të Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi bëhet për të treguar se nuk janë në parlament për karrigen e deputetit .
“Lideri i opozitës Sali Berisha, i cili prej një viti ndodhet në arrest shtëpie, sepse ka vendosur të përballet me Edi Ramës…i dyti ishte nënkryetari i Grupit Parlamentar të PD-së. Denoncoi lidhjet mafizoe të familjes Xhafaj me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe po e vuan prej tre ditësh dënimin. Karriget tona janë të qytetarëve, Edi Rama ka djegur Parlamentin, ne dorëzojmë karriget tona sepse jemi këtu për interesin publik. Do na kenë përballë në çdo moment me regjimin krimianl të Edi Ramës dhe me cilindo që vendo t’i mbyllë gojën opozitës, qytetarëve. Të vërtetës. Të vërtetës nuk i mbyllet dot goja”, tha Bardhi.
Pasi garda e Kuvendit fiku zjarrin, opozita hyri sërish në sallën e Parlamentit. Këtë herë nuk munguan as përplasjet verbale mes Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së Flamur Noka me deputetin e PS Petro Koçi. Noka u përjashtua nga salla, ndërsa Kryeparlamentarja Elisa Spiropali u detyrua të ndërpresë seancën plenare e cila zgjati 15 minuta.
Jashtë Kuvendit, deputeti Noka deklaroi se ‘panorama e sotme’ në Kuvend do jetë e njëjtë edhe në seancat në vijim. Ai theksoi se të hënën, 7 tetor, do ketë një protestë madhështore.
“Ne jemi të vendosur të mos ndalojmë. Ta harrojë Edi Rama që mund të bllokojë dhe intimidojë opozitën. Është përballë me aksionin, të Hënën do jetë në ballë të regjimit. Çdo të hënë dhe çdo të enjte do keni këtë panoramë. Nuk ka kompromis me regjimin”, deklaroi Noka.