Të punësuarit në Ndërmarrjen Publike “Rrugë dhe Rrugica” akuzojnë ushtruesin e detyrës drejtor i ndërmarrjes Vanço Umlenski se nuk ua paguan rrogat edhe pse Qyteti i Shkupit në konton e ndërmarrjes ka lëshuar 40 milionë denarë.

Në një reagim anonim, të punësuarit thonë se u.d drejtori Umlenski, gjoja ka marrë kompjuterin e sektorit të Financave dhe të gjitha mjetet i ka transferuar te furnizuesit, në mesin e të cilëve 19 milionë denarë kompanisë “Pucko Petrol”.

Për pagat e punonjësve ndërkohë nevojiten 15 milionë denarë, thonë ata. Të punësuarit në ndërmarrjen “Rrugë dhe Rrugica” ankohen edhe për presione. Gjatë grevës së vitit të kaluar për mos pagesën e pagave, tre persona janë larguar nga puna.

Edhe pse Këshilli Drejtues i ndërmarrjes ka anuluar largimet, u.d drejtorët nuk i kanë kthyer në vendet e tyre të punës, prandaj thonë se kanë frikë të dalin në grevë ose protesta.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume