Tentativë vrasje në Tetovë, paraburgim 30 ditor për të dyshuarin
Policia e Tetovës e ka vënë në pranga 28 vjeçarin L.J. i dyshuar se ditë më parë i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore një personi të mitur duke tentuar ta vrasë atë. Ngjarja ka ndodhur në një objekt biznesi familjar i të miturit në Reçicë.
“Më datë 28 shator, pjesëtarë të policisë së SPB Tetovë, kanë privuar nga liria personin L.J. 28 vjeç nga Tetova, i cili paraprakisht, pra dy ditë më parë, është raportuar nga një i mitur se në punëtorinë e tij, i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore me një mjet të mprehtë dhe në bazë të dyshimeve të bazuara se bëhet fjalë për vrasjen në tentativë, i njëjti është privuar nga liria dhe me procedurë paraprake, është dërguar para gjykatësit hetues më ç`rast iu caktua masa e paraburgimit në afat prej 30 ditësh”, deklaroi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.