Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se nuk e ka idenë për çfarë letre apo letrash bëhet fjalë. E kryetarja e kuvendit në Beograd, Ana Bërnabiq,e konsideron se tani nuk është koha që të flitet për këtë temë.

Kështu liderët e fqinjës veriore të Kosovës, po deklarohen rreth një deklarate bombastike që e dha emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, gjatë vizitës në Prishtinë më 6 shtator.

Diplomati sllovak pranoi se Serbia, ka tërhequr një letër të dërguar në dhjetor 2023, në BE me anë të së cilës, pala serbe shpreh rezervat për ujdinë Bruksel-Ohër,

Madje në letër, thuhet se marrëveshja është e pranueshme për Serbinë, vetëm në një kontekst që nuk i referohet njohjes de facto apo de jure të Kosovës.

“Letra është tërhequr. Ka deklarata, këtu e atje që nuk ndihmojnë, por marrëveshja si e tillë është valide në tërësinë e saj” theksoi Lajçak, më 6 shtator, pas takimit që e kishte në Prishtinë me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, njofton Klankosova.tv.

Rreth deklarimit të Lajçak, nga qeveria e republikë kosovare, shefja e diplomacisë, Donika Gërvalla, tha se “beson se emisari flet për tërheqje të pjesshme të letrës nga Serbia” e cila megjithatë nuk tërhiqet,sipas saj, nga mosnjohja e sovranitetit e integritetit territorial të Kosovës.

Udhëheqësi i Grupit Ballkanik për Hulumtimin e Politikave (BPRG) Naim Rashiti, thotë se këto zhvillime janë si rrjedhojë e mosmiratimit të ujdisë së arritur në Bruksel, më 27 shkurt dhe shtojcën e zbatimit më 18 mars 2023 në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Është top diplomati amerikan për Evropën, James O’ Brien, që u bë personaliteti i parë ndërkombëtar , i cili qysh në shkurt të këtij viti, dha informacionin se Serbia, ka tërhequr versionin e parë të letrës, anti-ujdisë me Kosovën.