Hezbollahu ka marrë përgjegjësinë për sulmin me dron ndaj shtëpisë private të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, që ndodhi javën e kaluar.
Kreu i mediave të grupit, Mohammad Afif, konfirmoi se sulmi ishte organizuar nga ata.
Pas incidentit, Netanyahu shkroi në një postim në platformën X se “përpjekja e Hezbollahut, si përfaqësues i Iranit, për të më vrarë mua dhe gruan time ishte një gabim i rëndë”.
As ai, as bashkëshortja e tij nuk ndodheshin në shtëpi gjatë kohës që droni u lansua drejt pronës së tyre në Caesarea, në veriperëndim të Izraelit.
Afif theksoi se Hezbollahu mban “përgjegjësinë e plotë” për këtë sulm dhe paralajmëroi se nuk do të kalojë shumë kohë deri sa grupi të ketë të burgosur izraelitë, duke shtuar se luftëtarët e Hezbollahut kanë qenë shumë afër realizimit të këtij qëllimi.
Ai gjithashtu e akuzoi Izraelin për përgjegjësinë ndaj mirëqenies së luftëtarëve të kapur prej tre javësh, kur Izraeli nisi një invazion të tokës në jug të Libanit, shkruan Sky News.
Afif komentoi gjithashtu sulmet e fundit të Izraelit ndaj al Qard al Hassan, një institucion financiar që dyshohet se përdoret nga Hezbollah për financimin e operacioneve të tij ushtarake, duke thënë se ai “ka marrë masa” dhe do të paguajë klientët e tij.