Pas sjelljes së vendimit për kufizimin e marzhës bruto fituese prej 10 për qind tek tregtarët e vegjël dhe të mëdhenj në plotë 73 kategori të produkteve ushqimore, Inspektorati Shtetëror i Tregut ka kryer mbi 500 kontrollime tek tregtarët, ku ka shqiptuar mbi 30 vendime me dënime për tregtarët për mosrespektim të vendimit Qeveritar, në vlerë prej mbi 4 milionë denarësh, bën të ditur drejtori i këtij institucioni, Goran Trajkovski. Ky i fundit apeloi tregtarët, që të mos mundohen t’i largohen respektimit të ligjit, sepse gjobat do të jenë edhe më të rënda.
“Inspektorati Shtetëror i Tregut ka kryer mbi 500 kontrollime tek tregtarët, ku ka shqiptuar mbi 30 vendime me dënime për tregtarët për mosrespektim të vendimit qeveritar, në vlerë prej mbi 4 milionë denarësh. Gjysma e dënimeve janë dhënë që nga fillimi i inspektimeve, ndërsa vetëm të enjten janë shqiptuar dënimet tjera, sepse marketet qëllimisht i kanë lënë hapësirat e tyre të zbrazëta, duke mos u ofruar qytetarëve produkte të cilat kanë qenë të përfshira në lirime.”, – deklaroi drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Goran Trajkovski.
EShS: Kostoja e jetesës shënoi rritje prej 2.6%
Nga ana tjetër, të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave kanë bërë të ditur se indeksi i kostos së jetesës në shtator 2024, krahasuar me shtatorin e vitit 2023, shënoi rritje prej 2.6%, kurse indeksi i çmimeve me pakicë shënoi rritje prej 3.3%. Sipas këtyre të fundit, rritja e inflacionit është rezultat i rritjes së kostos së jetesës pothuajse në të gjitha produktet ushqimore.
“Ka rritje të kostos së jetesës në grupet e mëposhtme: ushqime dhe pije joalkoolike me 1.7%, mobilie, amvisëri dhe mirëmbajtje shtëpiake me 1.1%, komunikime nga 0.9%, mallra dhe shërbime të ndryshme për 0.5%, arsimi për 0.3% dhe shëndetësia për 0.1%. Ndërsa ulje të kostos së jetesës është vërejtur në grupet e mëposhtme: transport me 5.3%, argëtim dhe kulturë me 1.8%, restorante dhe hotele me 0.4%, pije alkoolike, duhan, banesa, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera me 0.2%. Indeksi i çmimeve me pakicë në shtator të vitit 2024 krahasuar me gushtin e vitit 2024 është 99.3.”, – thuhet në komunikatën e Entit Shtetëror të Statistikave.
Sipas EShS-së, vlera e përgjithshme e eksportit të mallrave në vend, nga fillimi i vitit deri në gusht të këtij vitit është diçka mbi 5 milionë euro dhe shënon rënie prej 5.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas këtyre të dhënave, RMV-ja vëllimin e përgjithshëm tregtar jashtë e ka kryer me Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Greqinë, Kinën dhe Serbinë. Deficiti tregtar sipas EShS-së është diçka mbi 2 milionë euro, ndërsa mbulimi i importeve me eksporte është 70.7 për qind.