Ministria e Arsimit dhe Shkencës së bashku me përfaqësues të universiteteve dhe unioneve studentore po shkëmbejnë ideja për të gjetur mënyrën apo strategjinë më të mirë për të implementuar digjitalizimin e tërësishëm në arsimin e lartë. Blendi Hodai dhe Aleksandar Nikollovski nga unionet studentore thonë se është koha e duhur studentët të marrin shërbimet e tyre në formë digjitale dhe t’i shmangen pritjeve të gjata nëpër sportelet universitare.

“Digjitalizimi i universiteteve shtetërore nuk duhet të jetë luks, por është domosdoshmëri, për shkak se vetëm në këtë mënyrë studentët nuk do të shëtisin nëpër sportelet studentore dhe të presin radhë të gjata për të marrë një vërtetim të thjeshtë apo ndonjë shërbim tjetër, ku këto shërbime në të gjithë Evropën mund të bëhen vetëm përmes një kliku në internet.”, – theksoi Blendi Hodai nga Forumi Studentor.

“Kërkesa jonë deri te Ministria e Arsimit dhe Shkencës është që të ndryshojnë rregulloren. Ne po përpiqemi që nga shtatori i ardhshëm në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” të mos ketë indeks në formë të shkruar.”, – deklaroi kryetari i Kuvendit Studentor në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, Aleksandar Nikollovski.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, thotë se po punohet fuqishëm në këtë drejtim, pasi që digjitalizimi në arsim të lartë është kusht për transformimin digjital në shoqëri.

“Për fat të keq digjitalizimi në arsimin e lartë është pak i vonuar, por pavarësisht kësaj, është prioritet i ynë në të ardhmen që studentëve t’u mundësojmë shërbime të digjitalizuara, por do të bëhet edhe avancimi i ligjëratave duke përdorur teknologji të reja digjitale.”, – theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.

Sipas Janevskës, vetëm universiteti i Shtipit është pothuajse tërësisht i digjitalizuar, ndërsa nëpër universitet tjera shtetërore ka filluar procesi i digjitalizimit dhe aktualisht janë në nivele të ndryshme të implementimit të tij.