Kështu duket nga ajri Kiseljaku i zhytur në ujë
Shirat e rrëmbyeshëm që mbuluan pjesën më të madhe të Bosnjës dhe Hercegovinës gjatë natës shkaktuan përmbytje vdekjeprurëse në disa qytete. Rrugët dhe objektet e banimit janë vërshuar në Kiseljak, Jabllanicë, Kreshevë, Busovacë dhe Fojnicë.
Të paktën 14 persona kanë humbur jetën në Jabllanicë, ndërsa ministri i Mbrojtjes i Bosnjë-Hercegovinës ka thënë se rreth 20 persona janë zhdukur në atë vend. Një e moshuar ka ndërruar jetë në Fojnicë.
Pjesë të Kiseljakut janë zhytur plotësisht, dhe situata është e ngjashme në Kreshevën, Fojnicën dhe Vareshin aty pranë.
Në ato komuna është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore. Në Kiseljak për shkak të vërshimeve është shtyrë mësimi, ndërsa nga Ujësjellësi kanë bërë me dije se uji nuk është i përshtatshëm për pije.
Shërbimi i Mbrojtjes Civile i Komunës së Kiseljakut kërkon nga popullata që të mos dalin në rrugë dhe në raste emergjente të thërrasin ndihmë.