Që kur 5 shkurti 2025 u zgjodh si datë për mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, partitë politike kanë filluar që herë pas here të publikojnë emrin e ndonjë kandidati për deputetë.

Por edhe pse është bërë një muaj që kur është hapur hapur afati për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë, deri më tani asnjë parti politike nuk ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) listën me emrat e kandidatëve.

Zgjedhjet e rregullta të 9 shkurtit dhe afatet e gjata ligjore, kanë krijuar komoditetin për partitë politike që dalëngadalë të hartojnë listën me emrat e kandidatëve për deputetë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar për Ekonomia Online se deri më tani asnjë parti politike nuk ka dorëzuar në këtë institucion listën e kandidatëve për deputetë.

“Deri më 11 dhjetor të këtij viti, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesat e tyre për certifikim për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listat e tyre me emrat të kandidatëve për deputetë. Kjo periudhë ka filluar më 1 shtator, por mund t’iu konfirmoj se deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë aplikim nga ana e subjekteve politike”, bëri të ditur Elezi.

Sipas KQZ-së, të gjithë kandidatët që duan të marrin pjesë në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, do t’i nënshtrohen verifikimit të institucioneve të ndryshme, me qëllim që të vërtetohen nëse kandidatët që garojnë për deputetë janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Në mesin e institucioneve që KQZ-ja do të kërkojë verifikim të kandidatëve është edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) për të vërtetuar nëse ndonjëri nga kandidatët për deputetë është dënuar në tri vitet e fundit me vendim të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë burgim efektiv, i cili nuk do të mund të kandidojë.