Nga tymi i madh që po shkaktohet nga kjo furrë, banorët e kësaj lagje nuk mund të marrin frymë lirshëm.

“Kjo furra këtu prapa meje gjendet në Kumanovë, më konkretisht në rrugën “Srbo Tomoviç”, pra është bërë një shqetësim i madh për qytetarët nga tymi që po përhapet”, raporton Fazile Halili nga Kumanova.

Këtu afër ka shtëpi dhe ndërtesa, ku siç thonë disa banorë, ua prish fasadat e objekteve dhe nuk mund t’i hapin dritaret për ajrosje. Ata poashtu ankohen edhe për shëndetin, pasi çdo ditë thithin tym.

Ka edhe banorë të cilëve nuk u pengon furra, por kërkojnë që së paku të vendosen filtra.

Qytetarët që në vitin 2022 kanë dërguar kërkesë deri te komuna e Kumanovës që të merren masa.

Por nga Komuna i kanë informuar se inspektorati i mjedisit ka dalë në terren dhe ka kryer kontrolli dhe kanë urdhëruar furrën që brenda 7 ditëve të vendosë një filtër për tymin që shkaktohet dhe të matë emetimin e grimcave dhe gazrave qe dalin ajër.

Nga furra na treguan një dokument me rezultate nga laboratori i mjedisit jetësor, i cili thotë se nuk ka tejkalim të vlerave kufizuese për parametrat e matura.

TV21 dërgoi pyetje në Komunën e Kumanovës për ankesat e reja qytetarëve, nga ku po pret përgjigje.