Mbi 765 mijë lekë të reja llogariten dëmet e shkaktuara nga deputetët e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë gjatë seancës së 30 shtatorit. Ky është përfundimi që ka arritur Grupi i Kontrollit dhe auditit të inventarit të dëmeve që ngriti vetë Kuvendi, pas seancës së paprecedentë ku deputetët e opozitës dogjën ulëset e tyre në oborrin e sallës së seancave plenare.
Dëmi duhet të paguhet nga 4 deputetë, të cilët sipas Kuvendit kanë shkaktuar dëmin pasuror. Më konkretisht kryetari i grupit parlamentar, Gazment Bardhi duhet të paguajë një vlerë prej më shumë se 209 mijë lekë, Flamur Noka mbi 187 mijë lekë, Bledjon Nallbati duhet të paguajë mbi 187 mijë lekë dhe Elda Hoti mbi 180 mijë lekë.
Deputetët demokratë kanë afat për pagimin e tarifës deri në datë 20 Nëntor, në të kundërt lekët do t’u mbahen nga rroga. Këta 4 deputetë u përjashtuan gjithashtu me 40-60 ditë nga punimet e Kuvendit, ndërsa për të njëjtat zhvillime janë pjesë edhe e listës prej 23 të zgjedhurish demokrat të kallëzuar nga policia në SPAK për akuzat “shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “goditjet për shkak të detyrës”.