Kylian Mbappe ishte pjesë e ekipit humbës në “El Clasico”, të cilin e fitoi Barcelona 4-0, derisa e vendosi një rekord të “padëshirueshëm” po në këtë takim.

Mbappe u transferua te Real Madridi gjatë kësaj vere si transferim i lirë, pasi i përfundoi kontrata me PSG-në.

25-vjçari shënoi 256 gola në 308 ndeshje me PSG-në, duke dominuar në Ligue 1, por pa arritur ta fitojë Ligën e Kampionëve.

Mbappe po ashtu ka 48 gola në 86 paraqitje me kombëtaren e Francës dhe ishte pjesë e skuadrës kur triumfuan në Kupën e Botës më 2018.

Që nga lëvizja në Madrid, Mbappe ka 8 gola në 14 paraqitje, në të gjitha kompeticionet.

Megjithatë, “El Clasico” e parë e Mbappes i la shije të hidhur, pasi madrilenët pësuan keq nga Barcelona.

Lewandowski i shënoi dy gola për dy minuta, derisa më pas shënuan edhe Yamal e Raphinha, për vetëm 45 minuta në pjesën e dytë.

Mbappe luajti për tërë ndeshjen në krye të sulmit me Vinicius Junior, me Realin që kishte vetëm katër goditje në portën e mysafirëve.

Barça ishin më të saktë, duke shënuar katër në shtatë goditje drejt portës së Andriy Lunin.

Kylian Mbappe e vendosi një rekord personal, duke u zënë tetë herë në pozitë jashtë loje, pasi Barcelona po luante me mbrojtjen shumë lartë në fushë, duke e perfeksionuar grackën e pozitës jashtë loje.

Sulmuesi francez shënoi dy herë në këtë takim, mirëpo dy rastet ishin “offside”, derisa edhe me gjashtë herë tjera, Mbappe u bë lojtari që u zu më së shpeshti në pozitë jashtë loje deri më tani në të gjitha ligat europiane.