MERXHAN JAKUPI

Para ca vitesh kam shkruar një artikull me titull “Bota islame ka nevojë për një renesancë”. Në atë artikull kam potencuar se doktrinat dhe ideologjitë, si përplasje dhe konflikte mes sunitëve dhe shiitëve u ngjanin luftërave mesjetare evropiane, mes krishterëve të konfesionit katolik dhe protestantëve, që shkaktuan luftëra sektesh për afër një shekulli.
Këto dy fraksione u shndërruan në konfesione, sunite dhe shiite. Gjatë shumë shekujve, këto dy konfesione kanë pasur përplasje dhe kontradikta. Një ndër shkaqet e përçarjes dhe ngecjes së botës islame janë edhe përplasjet dhe konfliktet mes sunitëve dhe shiitëve. Sot në Lindjen e Mesme janë dy rivalë: Arabia Saudite, sunite, dhe Irani (Persia) shiite. Gjeostrategjia politike e doktrinave dhe ideologjive janë interesa dhe ekspansione për atë se kush do të dominojë në Lindjen e Mesme dhe në Botën Islame.
Që nga shpallja e shtetit hebre, Izraelit, arabët sunitë të gjithë luftërat deri tash i kanë humbur përballë tij. Është për t’u habitur se shiitët arabë dhe shiitët iranianë kanë urrejtje dhe janë armiq të përbetuar ndaj hebrenjve. Narrativi dhe paradigma është eliminimi dhe fshirja nga faqja e dheut të shtetit Izraelit.
Lufta mes Hezbollahut dhe Izraelit, pas pushtimit të Gazës, vitin e kaluar, forcat ushtarake të Izraelit kanë pasur luftime, duke gjuajtur me raketa dhe dronë, sikundër që në një farë dore ka pasur edhe nga pala tjetër. Pas vrasjes së liderit të tyre, Izraeli ka filluar të bombardojë në gjithë qytetet e Libanit, ku ka shkatërruar infrastrukturën dhe caqet e Hezbollahut. Forcat paraushtarake të Hezbollahut në Liban, zhvilluan një luftë me Izraelin në vitin 2006, ku ushtria e Izraelit herën e parë gjatë gjithë luftërave me arabët pësoi fiasko dhe në fund u detyrua të largohet.
Një luftë e hapur mes Hezbollahut dhe Izraelit mund të shkallëzohej dhe të zgjerohej në gjithë Lindjen e Mesme dhe rajon. Sipas analizave të ekspertëve dhe analistëve të Lindjes së Mesme, në këtë luftë mund të përfshihen shiitët arabë, së bashku me Iranin. Derisa e shkruaj këtë artikull, forcat e ushtrisë së Izraelit janë duke goditur me raketa territoret e Sirisë, Irakut dhe Jemenit të shiitëve hutu.
Sipas gazetës “Financial Times”, një luftë mes shiitëve arabë dhe izraelitë do t’i konvenonte Arabisë Saudite dhe shteteve të Gjirit Persik. Do ta dobësonte Iranin dhe aleatët e tyre shiitë. Po qe se Teherani, Damasku, Bagdadi dhe Sana do të futeshin në luftë, atëherë shtetin e Izraelit do ta merrte nën mbrojtje ShBA-ja dhe disa shtete të BE-së, siç është Anglia. Në këtë luftë do të merrnin pjesë dhe shtetet e Gjirit Persik: Arabia Saudite, Egjipti dhe Jordani.
Paradoksi dhe ironia është se këto shtete arabo-sunite kanë bërë luftëra së bashku kundër Izraelit, kurse sipas analistit në Universitetin e Bejrutit, këto shtete arabe do të jenë në aleancë me Izraelin, pasi vetë princi i Arabisë Saudite ka thënë se shiitët janë më armiq se hebrenjtë.
Sipas mitologjisë sioniste, shteti palestinez është shtet utopik dhe imagjinar. Një historian hebre shkruan se arabët kanë 21 shtete, pa llogaritur Palestinën. Sipas këtij historiani, konflikti mijëvjeçar mes arabëve dhe hebrenjve mund të zgjidhet me një shkop magjik. Egjipti do t’u jepte palestinezëve territorin e Sinait, kurse Libia do i jepte Egjiptit territor, pasi Libia ka sipërfaqe sa e gjithë Evropa. Sipas historianit, është e lejuar kompensimi ose blerje e territoreve me marrëveshje, si psh. Në të kaluarën, kur carët e Rusisë në shekullin e 19-të i shitën Alaskën ShBA-së. Me këtë skenar, Izraeli dhe diaspora hebraike do të blinte dhe paguante miliarda dollarë, ku luftërat dhe konflikti mes arabëve dhe hebrenjve do të zgjidhej në mënyrë paqësore, njëherë e përgjithmonë.