Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka kritikuar qeverinë aktuale, për neglizhencë në raport me financimin dhe të ardhurat e veteranëve të UÇK-së.

Sipas tij, në vend që të rriteshin të ardhurat e tyre, ata u përpoqën të minimizojnë vlerën dhe dinjitetin e tyre, transmeton klankosova.tv.

”Ashtu siç u rritën progresivisht GDP-ja dhe buxheti i Kosovës, është dashur të rriten edhe të ardhurat për veteranët. Kjo, fatkeqësisht, nuk ndodhi; përkundrazi, u bë përpjekje për të minimizuar vlerën dhe dinjitetin e tyre. Mjafton të shohim disa komente për të kuptuar se kush janë ata që ende përpiqen të politizojnë shqetësimet e veteranëve, duke i përdorur ata madje si trampolinë për interesat e partisë së tyre”.

”Si përgjigje për disa komentues tendenciozë, iu përgjigjem se, nëse secili prej jush do të ndihmonte veteranët qoftë vetëm një për qind të asaj që unë dhe fondacioni im kemi bërë dhe bëjmë për ta, kjo do të ishte e mjaftueshme për mirëqenien e tyre”, thotë Pacolli.

Ndër tjera, Pacolli përmes një letre publike, ka ndarë një rrëfim më të detajuar për gjendjen e veteranëve, me ç’rast dhe e kishte vizituar njërin prej tyre në një fshat jo larg Prishtinës.

”U trondita kur e vizitova shtëpinë e një veterani të luftës në një fshat jo larg Kryeqytetit, një njeri që dikur ka dhënë gjithçka për vendin e tij Kosovën dhe sot jeton në kushte që janë përtej çdo ndjenje njerëzore të dhembshurisë. Ai, me shoqen dhe 3 femijë, banon në një shtëpi të vjetër dhe të mykur, me mure që shpërbëhen nga lagështia, ku ajri i rëndë dhe mungesa e dritës reflektojnë realitetin e tij të errët. Një njeri i përkushtuar për këtë tokë, tani jeton i harruar nga shteti dhe shoqërija , ai qe dikur mbrojti me gjak.

Me 172 euro pension invalidor dhe pa ndihmë shtesë sociale, ai përballet çdo ditë me pamundësinë për t’i përballuar edhe nevojat më të vogla. Duket sikur ky është fundi i dinjitetit të tij.

Njerëz si ai nuk duhet të ndihen të braktisur apo të humbasin shpresën, e megjithatë, çdo ditë përballja me sëmundjen dhe vuajtjen ia vjedh ngadalë çdo dëshirë për të ardhmen. Shëndeti i tij i rënduar nga sëmundjet e mushkërive e ka detyruar të kërkojë trajtim në një spital jasht shtetit, por një njeri i vetëm si Unë nuk mund të mbajë gjithçka dhe në çdo kohë, mbi supe pa mbështetje të Qeverisë.

Si një qytetar i këtij vendi dhe si një individ që beson ende në humanizmin dhe në vlerat që na bashkojnë, jam thellësisht i tronditur dhe i turpëruar që kemi arritur në këtë pikë ku veteranët e luftës, njerëzit që na dhanë të ardhmen tonë, po lihen në harresë.

Çdo veteran meriton nderim, kujdes dhe mbështetje, jo vetëm në fjalë, por në vepra konkrete. Të injorosh të drejtat dhe nevojat e tyre është një tradhti e vërtetë ndaj sakrificës së tyre.

Kjo është një thirrje për të gjithë ata që kanë mundësinë të bëjnë ndryshim – institucionet, qytetarët dhe çdo njeri që beson në dinjitetin njerëzor.

Është koha që të mos heshtim përballë kësaj padrejtësie. Nuk kërkojmë mëshirë, por respekt për ata që u flijuan për lirinë tonë. Nuk duhet të lejojmë që një familje e nje heroi të jetojë dhe të vuajë në kushte të tilla.

Duhët të bejmë diçka, urgjentisht për këtë kategori!”.