Ekipet e shpëtimit janë ende në kërkim të personave të zhdukur nga përmbytjet katastrofike në Jabllanicë dhe Konjic, në Bosnjë-Hercegovinë.

Ekipet e shpëtimit po kërkojnë në të dy brigjet e Neretvës nga Donja Jabllanica deri në Prenjske në liqenin e Jabllanicës, njoftoi RTRS.

Komunikimi rrugor ndërmjet Mostarit dhe Jabllanicës është ende i ndërprerë, ndërsa pjesët ndërmjet Jabllanicës dhe Konjicit, si dhe Jabllanicës dhe Prozorit janë riparuar.

Për shkak të përmbytjeve në Bosnjë-Hercegovinë humbën jetën 19 persona, ndërsa shumë të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Deri më tani, trupat e 16 viktimave janë gjetur në zonën e Jabllanicës dhe Konjicës në Hercegovinë.

Tre njerëz kanë humbur jetën në Fojnicë nga vërshimet dhe rrëshqitjet e dheut, sipas Mbrojtjes Civile të kësaj komune në Bosnjën qendrore.

“Kemi shumë njoftime për persona të zhdukur”, tha zëdhënësi i Qeverisë së Qarkut të Hercegovinës dhe Neretvës (HNK), Darko Juka, disa ditë më parë.

Ai shtoi se situata më kritike është në zonën e Donja Jabllanica, që gjendet në rrugën nga Mostari për në Sarajevë.

Qeveria e Federatës së Bosnje e Hercegovinës (BeH) shpalli “gjendje të fatkeqësisë natyrore” në këtë entitet pas reshjeve të shumta që shkaktuan rrëshqitje dhe lëvizje të tokës në Hercegovinë dhe Bosnjën qendrore.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com