Dy persona mbetën të vrarë dhe dy të tjerë të plagosur gjatë një atentati pasditen e së mërkurës, rreth orës 13 e 50, në aksin rrugor Shkodër-Koplik, në vendin e quajtur Dobraç.
Në shënjestër të atentatit dyshohet se ishin Hamza Lici, i cili ka mbetur i vrarë, dhe Arlind Bushati i plagosur në gjendje të rëndë në spitalin e qytetit. Sipas një njoftimi paraprak nga policia, të dy udhëtonin në një makinë benz, me targa belge, kur u qëlluan nga një makinë tjetër në lëvizje. Automjeti benz dyshohet se ka humbur kontrollin dhe, për pasojë, ka përplasur një motoçikletë me të cilën udhëtonin shtetasi B.B dhe bashkëshortja e tij shtetasja F.B. Si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë shtetasja F.B, ndërsa bashkëshorti i saj ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Viktima e atentatit Hamza Lici është djali i Mustafa Licit, kryetar prej shume vitesh i një partie të vogël, partisë “Mendimi i Djathtë Liberal” dhe ish këshilltar bashkiak. Gjithashtu ai është vëllai i Ibrahim Licit, një person në kërkim nga policia për përfshirjen në disa vepra të rënda penale. Ndërsa Arlind Bushati, i cili mbeti në këtë atentat i plagosur rëndë, është djali i Xhemal Bushatit, ish kandidatit të Partisë Demokratike për kryetar bashkie të Shkodrës në zgjedhjet e pjesshme vendore të vitit 2022.