MERXHAN JAKUPI

Sipas një eksperti ushtarak të Izraelit, ka ardhur momenti historik që një herë e përgjithmonë të eliminohet armiku djallëzor nga i cili populli hebre është i kanosur dekada me radhë. Sipas tij, ushtria Izraelite së pari do të fillojë me sulme raketore, avionë ushtarakë, ku do të sulmojë vendet strategjike, aeroportet, kazermat dhe gjithë infrastrukturën tjetër. Mosadi, në bashkëpunim me opozitën iraniane dhe agjentët perëndimorë, kanë përgatitur rrëzimin e ajatollahëve dhe Republikën Islamike të Iranit.

FITUESIT DHE HUMBËSIT

Sipas ekspertëve në Lindjen e Mesme, konflikti mes Izraelit dhe palestinezëve është duke ndryshuar diskursin gjeopolitik dhe gjeostrategjik. Ushtria e Izraelit ka hapur pesë fronte. Frontet me trupa në Gaza dhe në Liban, po ashtu me raketa është duke sulmuar ushtritë paramilitare në Irak, Siri dhe Jemen. Me rrëzimin e regjimit totalitar dhe autoritar të ajatollahëve teknokratë dhe Republikës Islamike të Iranit, parashikohet të marrin fund forcat militante e radikale të Hamasit, Hezbollahut dhe të ushtrive paramilitare në Siri, Irak dhe Jemen.
Skenari i dytë mund të jetë që Forcat ushtarake të Izraelit të sulmojnë poligonet, bazat strategjike ushtarake. rafineritë dhe gjithë infrastrukturën ekzistuese. Përshkallëzimi dhe zgjerimi i një lufte, ku, në fund, për ta mbrojtur Izraelin, do të futet në konflikt edhe SHBA-ja, zgjerimi i një lufte në Lindjen e Mesme, mund të shndërrohet në kataklizëm dhe apokalips. Nga këto luftëra mund të shkaktohet një luftë tjetër qytetare mes shihëve arabë dhe sunitëve arabë. Përshkallëzimi dhe zgjerimi i luftërave do të shkaktonte ndarjen e Irakut, Sirisë, Libanit dhe Jemenit.
Në periudhën e Monarkisë dhe të mbretit Rizah Shah Pahllavi, lrani ishte aleat më i ngushtë i ShBA-së dhe i Perëndimit. Shoqëria iraniane para Revolucionit Islamik ka qenë shoqëri sekulare dhe pro-perëndimore.

MBYLLJA E KONFLIKTIT

Skenari i fundit, sipas revistës prestigjioze gjermane, Der Spiegel, është se pas përfundimit të luftës mes Izraelit dhe palëve në konflikt, do të përfundojë koha e Benjamin Natanjahut. Në pushtet do vinë forcat opozitare demokratike. SHBA është çelësi i zgjidhjes së konfliktit mes Izraelit dhe palestinezëve. Sipas revistës të sipërpërmendur, do të jetë në tavolinë plani i Oslos, si vazhdimësi e këtij projekti nga estabilishmenti i Oslos, ndërsa Tel-Aviv do të largohet nga territoret e pushtuara palestineze, ku do të fillojë krijimi i shtetit palestinez dhe mbyllja e luftërave që zgjatën afër një shekull mes arabëve dhe hebrenjve.
Sipas gazetës Washington Post, në luftën e Lindjes së Mesme ekzistojnë disa skenarë, që konsistojnë me sulme të kufizuara të forcave ushtarake të Tel-Avivit ndaj caqeve ushtarake të Teheranit. Skenarët e tjerë parashohin vazhdimin e sulmeve të forcave ushtarake të Izraelit, pushtimin e Gazës, ushtrimin e gjenocidit dhe etnocidit, si dhe vrasjen civilëve, në mesin e tyre të grave, pleqve dhe fëmijëve. Me këtë, Izraeli do ta humb reputacionin dhe imazhin e mëparshëm nga shumë shtete të botës. Po qe se vazhdon në këtë mënyrë pushtimet me operacione luftarake dhe zgjidhja e konfliktit mes palestinezëve dhe izraelitëve nuk sendërtohet, Arabia Saudite, shtetet e Gjirit Persik, Egjipti, Jordani dhe shumë shtete të tjera do t’ia kthejnë shpinën aleatëve perëndimorë, në radhë të parë SHBA-së. Këto shtete pritet të hynë në aleancë me shtetet e BRIX-it, me Kinën, Rusinë, Indinë e të tjera.