Në çdo fillim vjeshte, me ndryshimin e menjëhershëm të temperaturave, shfaqet edhe rritja e infeksioneve të organeve respiratore, si viruset e ndryshme apo edhe ftohjet. Prandaj, institucionet vendore, por edhe ato ndërkombëtare, si masë më të mirë preventive rekomandojnë vaksinimin, sidomos te personat më të moshuar dhe ata me sëmundje kronike.

Sezoni i ashtuquajtur i gripeve zakonisht llogaritet fundi i muajit dhjetor, duke filluar prej janarit deri në përfundim të prillit, kurse simptomat e gripit në përgjithësi janë të njëjta, thonë mjeku i përgjithshëm, Sedat Lumani.

“Është me rëndësi të dihet se për asnjë virozë nuk ka një terapi kauzale, terapi specifike për viruset. Terapitë gjithmonë duhet të jepen në në formë simptomatike dhe për komplikimet e gripeve jepet terapi kauzale për atë organ të atakuar. Meqë nuk ka terapi specifike, është me rëndësi të adaptohet veshmbathja, ushqimi, kontaktet me njerëzit e sëmurë, ata të izolohen, të largohen sidomos nga ata që janë në vende kolektive, siç janë shkollat, kazerma, punëtori të ndryshme.”, tha për TVM2 mjeku i përgjithshëm, Sedat Lumani.

Si masë më të mirë preventive, Lumani padyshim thekson marrjen e vaksinave.

“Vaksina mund të japë efekt për virusin sezonal pas 40 deri në 45 ditë. Kjo është periudha më adekuate për marrjen e vaksinës, duke e marrë parasysh kohëzgjatjen e imunizimit. Më të rrezikuarit janë të obliguar ta marrin, sidomos njerëzit e moshuar, njerëzit që kanë sëmundje respiratore, siç janë astma, siç është bronkiti kronik, janë sëmundjet kardiovaskulare, gratë shtatzëna dhe fëmijët. Duhet të vaksinohen se janë më të rrezikuarit, sepse pasojat e gripit janë katastrofale. Gripi si grip kalon, mirëpo komplikimet janë të rrezikshme.”, tha Lumani.

Qytetarët, disa preferojnë të vaksinohen e disa jo

TVM2 anketoi edhe qytetarët e moshuar për të marrë mendimin e tyre rreth marrjes ose jo të vaksinave.

“Kam aplikuar te mjeku, ma kanë lënë në muajin e 11 ta marr vaksinën. I marr çdo vjet vaksinat. Nuk kam kurrfarë pengese, është mirë të marrim, të mbron prej krejt të këqijave, gripave sezonale, të vjeshtës, të pranverës, të mbron shumë.”, u shpreh një qytetar.

“Jo, nuk e kam marrë. Jo nuk e kam ndërmend ta marr. As të parën se kam marrë as të fundit. Jam me sëmundje kardiovaskulare, por nuk ndjehem i rrezikuar.”, tha një qytetar.

“Jo. Nuk na ka informuar askush se duhet të marr. Po, mendoj ta marr. Unë nuk kam marrë vaksinë deri tash, po disa lavdërohen se janë të dobishme. Mendoj edhe unë ta marr.”, u shpreh një qytetar.

“Jo, nuk e kam marrë. S’jemi tu besu, as andej as këndej. Unë i kam 72 vjet, asnjë sëmundje nuk kam.”, tha një qytetar.

“Jo, jo nuk e kam marrë. Jo, nuk do ta marr.”, u shpreh një qytetar.

Sipas informacioneve zyrtare, më shumë se 14.000 qytetarë tashmë janë regjistruar në ueb-faqen vakcinacija.mk në sistemin “Termini im” dhe kanë aplikuar për vaksinim. Me vaksinim falas mbulohen grupmoshat e rrezikuara, personat mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, punonjësit shëndetësorë, gratë shtatzëna, fëmijët e moshës gjashtë muajin deri në 5 vjeç, si dhe personat e vendosur në institucionet e mbrojtjes sociale.