Alfabet im i dashur, sot është 22 Nëntori, është dita jote e madhe. Sot je qendra e vëmedjes! Sot thuhen fjalët më të bukura dhe më të stolisura për ty.
Kur të gjithë menduam se perëndove, se kalove pas horizontit, ti u ringjalle, u ringjalle si Feniksi, u shfaqe si Doruntina e Kadaresë!
Është e vërtetë se askush nuk të përfilli tërë vitin, por sot, në këtë ditë të bekuar, je më i uruari, më i bekuari, më i përmenduri, je kryefjala e ditës. Sot madhërohesh nga secili – po, po, nga secili dhe nga secila. Sot të përmendi unë, ky, kjo, ai, ajo, të përmendim ne, këta, këto, ata, ato, të përmendin… , të përmendin të gjithë!
Sot të përmend plaku të përmend fëmija, të përmend i vjetri të përmend rinia,…, të përmend vendi të përmend kuvendi, të përmend nahija të përmend gjithësia.
Me përkujdesje dhe dilkatesë, të urojnë, të lartësojnë, politikanë, deputetë, ministra,…, diplomatë, të përmendin ata të cilët të nënvlerësuan, të katandisën, të minimizuan,…,të bastarduan. Të bekojnë ata, të cilët, për ty, pa fije turpi asgjë nuk investuan!
Sot të kujtojnë, leksikologët, ata të cilët janë më meritorë për ty, por të cilët, për habinë e të gjithëve, të lanë me një numër shumë të vogël fjalësh!
Sot të përmendin ata, për të cilët je burim i dijes, të përmend mësuesi, arsimtari, profesori, edhepse po të njejtit shumicën e shkronjave tua nuk i kanë përdorur, nuk kanë ditur ti përdorin dhe nuk do ti përdorin.
Nuk mungon as urimi i nxënësit, i cili i hipnotizuar në celularin e tij, nuk të ka parë asnjëherë, nuk të sheh dhe nuk dëshiron që të shohë – në fakt, atij i shfaqesh si Gogol!
Sot të përmend avokati, prokurori, gjykatësi, të përmendin ata, të cilët me ëndje shruajnë me një alfabet tjetër të pakuptueshëm, që është shumë më i varfër, më i mangët dhe më i cunguar se i yti.
Urimet nuk mungojnë as nga mantelbardhët, shkrimi dhe shkronjat e cilëve u ngjajnë shkrabave apo shkarravinave të pakuptueshme, të cilët nuk mund lexohen nga vetë ata, a mos të flasim nga të tjerët.
Nuk të haroi pa të përmendur as armata famshme e administratorëve, në tekstet e të cilëve, me bollëk mund të gjejsh fjalë të cunguara dhe me plot gabime.
Ëmbëlsira mbeti në fund, atëherë kur definitivisht iu kujtua shtetit shqiptar se edhe ti ekziston dhe se për ty duhet krijuar një festë, edhepse shumë vonë, e bëri një gjë të tillë!
Tekefundit, nuk është me rëndësi kush ke qenë, por kush je! Ndoshta bëre punën Sizifit, por sot gjendesh në Olimp!
Autor: Afrim Ramadani