Është ankoruar në portin e Durrësit anija “Moliva”, që në bordin e saj ka 102 kontejnerë me mbetje të dyshuara si të rrezikshme.
Puna për shkarkimin e kontejnerëve pritet të nisë që herët në mëngjes dhe procesi i shkarkimit parashikohet të zgjasë rreth 3 orë.
102 kontejnerët me mbetje të rrezikshme, për të cilat prokuroria e Durrësit ka vendosur sekuestrimin dhe ruajtjen nën masa të rrepta sigurie, do të spostohen drejt Porto Romanos në afërsi të EcoPark-ut, ku gjatë këtyre ditëve është krijuar një hapësirë e posaçme, raporton Euronews.al, transmeton Klankosova.tv.
Transporti me kamion i kontejnerëve do të bëhet po ashtu nën masa të rrepta siguria, si dhe pritet të shoqërohet nga efektivë të forcave të rendit.
Hapësira e dedikuar për vendosjen e kontejnerëve gjatë këtyre ditëve është një pronë e sekuestruar kohë më parë nga AAPSK (Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara).