BDI ka reaguar ndaj deklaratave të vazhdueshme të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili thotë se po lufton me instalimet e LSDM-së dhe BDI-së në gjyqësor dhe prokurori, përcjell TV21. Nga BDI kërkojnë nga Mickoski që të ndalojë menjëherë këto, siç thonë ata praktika të dëmshme, të ruajë dinjitetin e pozitës së tij dhe të respektojë ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë e institucioneve.

“Ky veprim nuk është asgjë më shumë se një abuzim i hapur i pushtetit, një përpjekje për të krijuar perceptime të gabuara në opinionin publik dhe për të kufizuar hapësirën e opozitës për të vepruar. Për më tepër, këto veprime ushtrojnë ndikim dhe presion të papranueshëm mbi institucionet e pavarura të drejtësisë. Kryeministri nuk është prokuror, as nuk ka të drejtë të abuzojë pozitën e tij për qëllime të luftës politike. Këto kërcënime të vazhdueshme janë të paligjshme dhe tregojnë një arrogancë që është shenjë e pasigurisë së tij. Nëse Kryeministri do të ishte vërtet i sinqertë në luftën kundër korrupsionit, ai do të pranonte thirrjen tonë për një proces vetingu të pavarur dhe ndërkombëtarisht të ndërmjetësuar, që të përfshijë të gjitha partitë dhe politikanët, përfshirë vetë atë”, thuhet mes tjerash në reagimin e BDI-së.