Për 120 vjet një pikturë e Van Goghut, e cila ka një vlerë të llogaritur deri në dy milionë paund, ka qenë në një koleksion privat, e fshehur nga sytë e publikut, por tani ajo do të ndryshojë pronar, edhe pse nuk dihet destinacioni i ardhshëm i saj.
Është një pikturë e titulluar “Koka e një gruaje”, e pikturuar nga impresionisti holandez Vincent Van Gogh midis 1883 dhe 1885.

Pasi ka mbetur në një koleksion ekskluziv për më shumë se një shekull, vepra është praktikisht e panjohur.

Ajo do të shitet në shtëpinë e ankandit “Christie’s” në Londër më 28 shkurt.

Ashtu si piktura tjetër “Koka e gruas”, ajo paraqet portretin e fshatares Gordina de Groot, një grua pothuajse 30-vjeçare, subjekti më i përsëritur në veprat e krijuara nga artisti i mirënjohur flamand në periudhën Neunen kur ai pikturoi dhjetëra fshatarë vendas.

Nuk ishte rastësi që, në atë kohë, në rrugët e qytetit Neunen u përhapën thashethemet se babai i fëmijës që Gordina kishte ishte në të vërtetë Van Goghu.

Portreti që do të shitet në ankand më 28 shkurt është një nga 40 pikturat që piktori la pas kur u nis për në Antëerpë në vjeshtën e 1885.

Ato u blenë të gjitha në vitin 1902, nga një tregtar antik në Breda dhe më pas u rishitën një vit më vonë te tregtari i Roterdamit, Christiaan Oldenzeel.

Prej tij, portreti i Gordinës u ble në vitin 1903 nga një bankier nga Haga, Henri Daniel Pierson.

Dhe që atëherë piktura ka mbetur në koleksionin e familjes, pa asnjë ndryshim tjetër pronësie.

Përveç portretit, ka edhe dy portrete të tjera të Gordinës, njëri i ruajtur në muzeun ”Van Gogh” në Amsterdam dhe tjetri në Galerinë Kombëtare të Skocisë në Edimburg.

Në të dyja pikturat, gruaja paraqitet me një kapelë të bardhë.