Mjeku onkolog Edmond Gashi, ka dalë nga arresti shtëpiak prej ditës së djeshme, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit, ka vendosur që të zbusë masën e sigurisë nën garancinë pasurore 20 milionë lekë.

Tashmë, Gashi mund të vazhdojë punën si mjek në klinikat private.

Skandali te Onkologjiku/ Gjykata e Posaçme liron mjekun Edmond Gashi
Dhe kështu ka ndodhur, ku pas vvendimit të togave të zeza, klinika private “Megis” në pronësi të mjekut Edmond Gashi, ka njoftuar se ky i fundit është rikthyer në klinikë.

“Me kënaqësi ju informojmë se Dr. Edmond Gashi është rikthyer në klinikën tonë dhe është gati t’ju mirëpresë me kujdesin dhe përkushtimin që e karakterizon. Pas një periudhe sfiduese, Dr. Gashi është plotësisht i përkushtuar të vazhdojë të ofrojë shërbimin e tij profesional për të gjithë ju.

Ju ftojmë të rezervoni takimin tuaj për një përkujdesje shëndetësore të përkushtuar dhe të plotë. Dr. Gashi ju mirëpret“, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga klinika private, e cila ishte gjithashtu pjesë e kontrolleve të SPAK, kur u zbardh skandali i mjekëve që merrnin para nga pacientët me kancer.

Edmond Gashi, ndodhej në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, por vazhdimisht ka kërkuar heqjen e saj, sepse thoshte se kishte shumë pacientë që e prisnin për trajtim.

Kërkesa e tij është pranuar dje nga Gjykata e Posaçme e Apelit dhe Edmond Gashi, do të jetë i lirë me garanci pasurore 20 milionë lekë.