Ish-koloneli Rrahman Sylejmani, thotë se institucionet e sigurisë dhe inteligjencës duhet të inspektojnë situatën më intensivisht, pas gjetjes së armëve ditë më parë në veri të cilat lidhen me sulmin në Banjskë.

“Një prezencë e madhe e armatimit që nga viti 2017 e me eskalimin e rastit të Banjskës, gjithçka ka qenë e përgatitur. Aksionet ende s’kanë përfunduar, ka armë ende të shumta, edhe pse është rritur prezenca e KFOR-it dhe e policisë, situata është e brishtë”, ka thënë ai për RTK-në.

Sylejmani foli edhe për gjendjen e sigurisë përgjithësisht në vend, duke theksuar se një nga fenomenet negative është armatimi ilegal.

“Të rinjtë janë më së shumti të përfshirë në armatimet ilegale, mos të flasim kur ka raste edhe ndër 18 vjet. Përkundër sekuestrimeve dhe aksioneve të ndryshme nga ana e Policisë, po del se armatimi është shumë prezentë”, deklaroi ish-koloneli, përcjell Klankosova.tv