Kompania Bosch ka njoftuar se do të pushojë nga puna 5,500 punonjës në nivel global, shumicën e tyre në Gjermani
Më shumë se dy të tretat e pushimeve nga puna, rreth 3,800 pozicione, do të ndodhin në Gjermani, deklaroi zëdhënësja e kompanisë Bosch, duke përmendur nevojën për “përshtatje të vazhdueshme,” raportoi Bloomberg.
Drejtuesit e kompanisë kanë paraqitur këto shifra në planet e tyre fillestare, por ato do të përcaktohen përfundimisht në bisedime me përfaqësuesit e punëtorëve.
Sektori më i prekur do të jetë ai i zgjidhjeve kompjuterike për ndihmë dhe drejtim të automatizuar të makinave, ku deri në fund të vitit 2027 do të eliminohen 3,500 vende pune në mbarë botën, nga të cilat gjysma do të jenë në Gjermani.
Sipas këshillit të punës, kjo përfshin qendrat e Bosch në Leonberg, Abstatt, Renningen dhe Schwieberdingen në landin Baden-Württemberg, si dhe në Hildesheim, në Saksoninë e Poshtme. Në këto lokacione, deri në vitin 2032 do të shkurtohen edhe 750 vende pune, nga të cilat 600 pritet të eliminohen deri në fund të vitit 2026.
Bosch në Hildesheim prodhon gjithashtu komponentë për elektromobilitet. Kompania planifikon të ulë kostot edhe në departamentin që prodhon sisteme kontrolli për makina dhe kamionë. Si rezultat, nga viti 2027 deri në 2030, do të shkurtohen deri në 1,300 vende pune në lokacionin në Schwäbisch Gmünd, në Baden-Württemberg, që përfaqëson më shumë se një të tretën e punonjësve të tij.
Kompania e lidh këtë reduktim të vendeve të punës me krizën në industrinë automobilistike. “Prodhimi global pritet të ngecë këtë vit rreth 93 milionë automjete, madje mund të ketë një ulje të vogël krahasuar me vitin e kaluar,” deklaruan në Bosch.
Vitin e ardhshëm, në skenarin më të mirë, pritet një rimëkëmbje e lehtë për shkak të kapaciteteve të tepërta dhe rritjes së presionit nga konkurrenca dhe çmimet.
Sipas Bosch, prodhimi i automjeteve elektrike kërkon dukshëm më pak pjesë krahasuar me motorët me benzinë dhe naftë, gjë që krijon tepricë të fuqisë punëtore. Për më tepër, tregu për teknologjitë e reja nuk është zhvilluar siç pritej. Kërkesa për sisteme ndihmëse për drejtuesit dhe zgjidhje të automatizuara të drejtimit ka qenë dukshëm më e ulët nga sa ishte parashikuar.
Bosch vëren gjithashtu se shumë projekte të tilla janë shtyrë ose anuluar nga prodhuesit, duke ndikuar ndjeshëm në planet e kompanisë.