Me sytë drejt UEFA-s, por me mendjen tek Lituania, Kosova bëhet gati për sfidën përmbyllëse në fazën e grupeve të Ligës së Kombeve, duel që luhet në Fadil Vokrri sonte në orën 20:45.

Të besuarit e Franko Fodës kanë mbyllur përgatitjet, ndërsa janë gati për kundërshtarin, të cilin arritën ta mposhtin në transfertë më 12 tetor. Këtë herë tekniku i dardanëve është i kushtëzuar për faktin se Rrahmani e Dellova nuk do të luajnë për shkak kartonësh, duke bërë që të aktivizojë 2 lojtarë të tjerë.

Sa i përket vendosjes, në portë nuk ka ndryshime, ku konfirmohet Muric ndërsa në mbrojtje me Hadërgjonaj, Vojvoda, Aliti dhe Krasniqi. Ashtu si me Rumaninë në mesfushë priten Berisha, Rexhbecaj dhe Muslija, ndërsa në sulm Zhegrova, Jashari dhe Vedat Muriqi. Objektivi i vetëm janë 3 pikët, e kështu Kosova do të përmbyllte një rrugëtim tejet pozitiv në Ligën e Kombeve.

Paralelisht me këtë duel, dardanët presin dhe një përgjigje nga UEFA pas skandalit të pak ditëve më parë, ku për shkak të ofendimeve të tifozëve rumunë, lojtarët vendosën të dalin nga fusha. Një mesazh që shkon drejtpërdrejt te qeveria evropiane e futbollit, e cila nuk ka marrë asnjë masë për skandalet e mëparshme ku tifozët serbë apo ata rumunë kanë fyer shqiptarët.