Janë zyrtarizuar vazot për shortin e kualifikuesve evropiane të Kupës së Botës 2026
Kombëtarja e Shqipërisë mund të përballet me përfaqësuesen e Kosovës në rrugën e saj drejt Kupës së Botës 2026, pasi dy ekipet janë zyrtarizuar përkatësisht në vazon tre dhe katër.
Shoqatat e lidhura me FIFA-n, por që i përkasin UEFA-s, do të zbulojnë rivalët e tyre në kualifikueset për Kupën e Botës 2026, me shortin i cili do të mbahet në selinë e FIFA-s në Zyrih, Zvicër, të premten më 13 dhjetor 2024 në orën 12.00.
Tani janë zyrtarizuar pesë vazot nga ku do të dalin emrat e ekipeve që do të formojnë grupet e kualifikueseve evropiane për Botërorin 2026.
Vazo 1: Portugali, Kroaci, Francë, Gjermani, Holandë, Spanjë, Danimarkë, Angli, Belgjikë, Zvicër dhe Austri.
Vazo 2: Ukrainë, Suedi, Turqi, Uells, Hungari, Serbi, Poloni, Greqi, Rumani, Sllovakia, Çeki dhe Norvegji.
Vazo 3: Skoci, Slloveni, Irland, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Gjeorgji, Finland, Island, Irland e Veriut, Mali i Zi, Bosnje dhe Hercegovina dhe Izraeli.
Vazo 4: Bullgari, Luksemburg, Bjellorusi, Armeni, Kosove, Kazakistan, Azerbajxhan, Estoni, Qipro, Ishujt Faroe, Letoni dhe Lituani.
Vazo 5: Moldavi, Maltë, Andorra, Gjibraltar, Lihtenshtajn dhe San Marino.
Zgjerimi i Kupës së Botës 2026 ka rritur numrin e vendeve për ekipet kombëtare të UEFA-s nga 13 në 16. Do të jetë edicioni më gjithëpërfshirës i turneut, me 48 ekipe në total.
Faza e grupeve kualifikuese të UEFA-s do të fillojë në mars 2025 dhe do të përfundojë në nëntor 2025.
Ekipet do të organizohen në grupe, me 12 grupe të përbëra nga katër ose pesë ekipe dhe fituesit e grupeve do të marrin një vend direkt në Kupën e Botës në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Prania e një kombëtareje në grupin me katër apo pesë skuadra lidhet me ekipet që do të kualifikohen për në gjysmëfinale të Nations League, të cilat do të zbulohen në mars të 2025-ës pas çerekfinaleve.
12 nënkampionët e secilit prej grupeve, së bashku me katër skuadrat më të mira të Nations League 2024-25, të cilët nuk janë kualifikuar tashmë drejtpërdrejt, do të përfshihen në një faze play-off-i.
Pra, nga 16 ekipet që do të shkojnë në play-off, në fund, katër më të mirat do të bashkohen me 12 vendet e para të grupeve kualifikuese për të formuar 16 kombëtaret evropiane që kualifikohen në Kupën e Botës 2026.