Është publikuar reportazhi “Një kampion në betejë” në të cilin personazh kryesor është çiklisti Senad Idrizi. Realizimi i reportazhit është bërë nga Memetali Mustafi, ndërsa Nistori është bashkëpunëtor medial.

Reportazhi tregon përkushtimin, dashurinë, punën dhe sfidat e Senadit në një prej garave të tij, i cili është çiklistë me 10 vite përvojë, si dhe kryetar aktual i klubit të çiklistëve “Phoenix”.

Ky mini-dokumentar fillon pikërisht me rrëfimin e Senadit për klubin “Phoenix”, i cili është themeluar në vitin 2015 nga një grup shokësh me qëllime shumë fisnike.

Në përgatitje e sipër për një garë, Senadi pëson lëndim në muskulin e këmbës së tij i cili e detyron të jetë jashtë përgatitjeve për gara dhe të pushojë.

“Mbështetjen më të madhe gjatë lëndimit ma kanë dhënë familja, fëmijët dhe bashkëshortja”, thotë Senadi gjatë periudhës sa ka qenë duke i rikuperuar. Në këtë kohë ai dhe shokët e tij marrin edhe një lajm të mirë – që klubi i tyre “Phoenix” është pranuar nga Federata e Çiklizmit, gjë që u mundëson të marrin pjesë në të gjitha garat.

Ky lajm e motivon edhe më shumë Senadin që të kthehet nga lëndimi dhe të merr pjesë në gara.

“Për të qenë garues i fuqishëm duhet të kesh përgatitje edhe fizike, edhe psikike”, thotë Senati.

Gara afrohej dhe Senadit ndjehej çdo ditë më mirë, si dhe ishte i bindur se do të mund ta përfundojë garën, por gjithashtu kishte frikë se nëse i rikthehet lëndimi, mund ta detyrojë edhe të largohet përgjithmonë nga sporti i çiklizmit.

“Çiklizmi nuk është vetëm vozitje biçiklete, por është përzierje e shumë gjërave, qëndrueshmërisë psikike, fizike, të gjitha këto bëjnë pjesë për ta fituar një garë”, tregon Senadi në reportazh, i cili vazhdimisht ndihmohej dhe mbështetej nga shokët e tij.

Senadi e nis fuqishëm garën, por gjatë saj ndodh që të ndalet për një moment, gjë që i shqetëson shokët e tij, të cilët mendojnë se i është kthyer lëndimi. Megjithatë, shpirti luftarak i tij, si dhe motivimi që ka ai arrin ta përfundojë dhe fitojë garën.

“Duke pasur parasysh edhe premtimin e dhënë familjes dhe babait, kuptohet se dua ta fitoj garën. Të dorëzohem nuk është e karakterit tim, kështu që vazhdova”, tregon Senadi.

“Easy choices, hard life – hard choices, easy life, është motoja me të cilën zgjohem çdo mëngjes, fitorja erdhi, mundi nuk shkoi kot”, thotë Senadi në fund të dokumentarit.