Palestinezët që janë detyruar të migrojnë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës, luftojnë me motin e ftohtë dhe shiun që ka përfshirë rajonin, raporton Anadolu.

Kriza humanitare në rajon po përkeqësohet për shkak të sulmeve të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës.

Fotografitë e shkrepur nga fotoreporterët e Anadolu në rajon, tregojnë përmasat e mëdha të problemeve që palestinezët janë duke i përballuar në rajone të ndryshme të Gazës.

Palestinezët që jetojnë në tenda të improvizuara në qytetin Deir al-Balah, që ndodhet në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, ndikohen më së shumti nga shirat dhe moti i ftohtë.

Ndërkaq, një pjesë tjetër e palestinezëve jetojnë në tendat e imporvizuara në stadiumin e Yarmouk në qytetin e Gazës. Palestinezët janë strehuar këtu pasi janë detyruar t’i braktisin shtëpitë e tyre në veri të Rripit të Gazës ku Izraeli ka intensifikuar sulmet e tij.

Palestinezët, të cilët braktisën shtëpitë e tyre dhe u strehuan në qytetin Khan Yunis të Gazës për shkak të sulmeve, po përpiqen të sigurojnë furnizime me ujë dhe ushqim për fëmijët e tyre, ndërkohë që po përballen me kushtet e motit të ftohtë në tendat e improvizuara ku qëndrojnë.

Izraeli ka nisur një luftë gjenocidale në Rripin e Gazës pas sulmit të Hamasit vitin e kaluar, duke vrarë të paktën 44.200 njerëz, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe duke plagosur mbi 104.500 të tjerë.

Tashmë në vitin e dytë, gjenocidi izraelit në Gaza ka tërhequr një dënim në rritje ndërkombëtar, me figura dhe institucione që i etiketojnë sulmet dhe bllokimin e dërgesave të ndihmave si një përpjekje të qëllimshme për të shkatërruar një popullsi.

Të enjten, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi ​​urdhërarreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën brutale ndaj Gazës.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com