Shteti verilindor i Indisë, Manipur është në gatishmëri të lartë pasi autoritetet gjetën trupat e gjashtë grave dhe fëmijëve, të cilët thuhet se i përkisnin shumicës së komunitetit Meitei.

Grupet Meitei kanë pretenduar se janë rrëmbyer nga njerëz të grupit të minoritetit Kuki. Megjithatë, policia nuk e ka konfirmuar këtë, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Lajmi shkaktoi një valë të re protestash të dhunshme gjatë fundjavës, duke bërë që autoritetet të ndërpresin shërbimet e internetit në disa pjesë të shtetit.

Dy grupet etnike janë përfshirë në një konflikt vdekjeprurës etnik që nga maji i kaluar, i cili ka vrarë 200 njerëz dhe ka zhvendosur mijëra të tjerë.