Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel ka mbrojtur vendimet e saj lidhur me marrëdhëniet me Rusinë dhe bllokimin e Ukrainës nga NATO. Merkel theksoi se politika e saj kishte për qëllim ruajtjen e paqes dhe shamngien e një përshkallëzimi të konfliktit me Moskën.

Ajo gjithashtu këmbënguli se lufta me Ukrainën do të kishte filluar më herët nëse ajo nuk do të kishte bllokuar hyrjen e Kievit në NATO në 2008.

“Ne do të kishim parë një konflikt ushtarak edhe më herët. Ishte plotësisht e qartë për mua se presidenti Putin nuk do të kishte qëndruar duarkryq dhe të shihte Ukrainën të bashkohej me NATO-n”, tha Merkel.

Ky qëndrim ka ngjallur debate, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit në Ukrainë, dhe tensioneve të vazhdueshme midis NATO-s dhe Rusisë. Për këtë çështje ka reaguar Presidenti i Ukrainës Zelensky i cili nuk është dakort me një qëndrim të tillë të ish-kancelares.

Ai e përshkruan vendimin e Merkel në NATO, të mbështetur nga presidenti i atëhershëm francez, Nicolas Sarkozy, si një “llogaritje të gabuar” të qartë që trimëroi Rusinë.

Merkel u shpreh se këto vendime ishin në përputhje me interesat strategjike të Gjermanisë në atë kohë, duke nënvizuar rëndësinë e diplomacisë dhe negociatave për të frenuar sulmet ruse.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të parandaluar përdorimin e armëve bërthamore”, thotë ish-kancelarja gjermane.