Qeveria e Kosovës miraton dy nisma bashkëpunimi në prag të mbledhjes së përbashkët me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut

Qeveria e Kosovës ka mbajtur të dielen një mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar dy nisma të bashkëpunimit me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, në prag të mbledhjes së përbashkët ndërqeveritare që do të mbahet të hënën e 18 nëntorit në Prishtinë.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar në një komunikatë se në mbledhjen e mbajtur sot është miratuar nisma për lidhjen e protokollit ndërmjet Qeverisë së Kosovë dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për implementimin e marrëveshjes për pikat e kalimit kufitar ndërmjet dy vendeve Hani i Elezit – Bllacë dhe Glloboqicë – Jazhincë.
Gjithashtu, në bazë të njoftimit për shtyp, ekzekutivi kosovar ka miratuar edhe nismën për lidhjen e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë së Kosovës dhe Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale së Maqedonisë së Veriut, në sektorin e energjisë në përputhje me politikat dhe strategjitë e tyre.
Ndryshe, zyra për shtyp në Qeverinë e Kosovës ka publikuar më herët edhe agjendën e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive. Në bazë të agjendës zyrtare, takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe homologut maqedonas, Hristijan Mickoski, do të nisë nga ora 11:20. E takimi ndërqeveritar pritet të nisë nga ora 12:00 pasdite.