Pas ngjarjes tragjike të një jave më parë ku u vra pranë shkollës “Fan Noli” 14-vjeçari Martin Cani nga bashkëmoshatari i tij, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka nisur nga gjimnazi “Sami Frashëri” në kryeqytet, konsultimin publik me prindër, mësues, për të parandaluar shfaqjet e dhunës tek të miturit, si dhe për të diskutuar mbi aksesin e nxënësve dhe adoleshentëve në platformat sociale TikTok dhe Snapchat.

Sikurse e njoftoi edhe disa ditë më parë, kreu i qeverisë theksoi se ideja për të ndaluar TikTok-un dhe Snapchat-in si dy platforma që janë problematike, është diskutuar prej kohësh.

“Të gjitha platformat janë problematike, por këto dyja janë problematike për arsye specifike, është një ide që ne e kemi diskutuar gjatë prej kohësh, jo sot dhe që me këtë rast menduam që ta shtrojmë për një diskutim më të gjerë sepse nuk është kaq bardhë e zi, nuk është zgjidhja e problemeve, por është një element që mund të na sjellë në një ngushtim të rëndësishëm të hapësirës që e stimulon, që e frymëzon, që e nxit dhunën, bullizmin dhe budallallëkun në përgjithësi”.

Rama përsëriti se në fund të dhjetorit do të firmoset marrëveshja për projektin për monitorimin me kamera në shkolla dhe theksoi se çdo prind do të ketë akses për të parë fëmijën, klasën, aktivitetin, mësuesin duke bërë një kërkesë pranë shkollës.

“Besoj që deri në fund të dhjetorit do të firmosim edhe marrëveshjen, sepse bëhet fjalë për, nga njëra anë një sistem komplet të ri të monitorimit të shkollave me teknologji dhe nga ana tjetër për një financim të konsiderueshëm, që do ta marrim nëpërmjet një marrëveshje me qeverinë e Emirateve të Bashkuara dhe është një sistem i testuar dhe i provuar më së miri në Emiratet e Bashkuara me rezultate të jashtëzakonshme, që faktikisht mundëson ndjekjen në kohë reale me kamera të të gjithë procesit mësimor, të të gjithë jetës brenda mureve të oborrit të shkollës. Çdo prind, në çdo kohë mund të ketë akses për të parë fëmijën, klasën, aktivitetin, mësuesin, duke thjeshtë bërë një kërkesë pranë shkollës dhe çdo lloj situate jashtë disiplinës mësimore është e regjistruar”.