“Shqipja me siguri do të rreshtohet ndër më të rrallat dhe të veçantat në BE”
Kryeministri Edi Rama duke folur në Kuvendin Kombëtar për Gjuhën Shqipe – i cili hapi siparin këtë të enjte me një ceremoni të veçantë në Pallatin e Brigadave në Tiranë – tha se duhet të “mos lejojmë që gjuha shqipe të degradojë në pikën e moskthimit”.
“Sot, ky Kuvend Kombëtar i Gjuhës Shqipe, është përmbajtësor për disa arsye të rëndësishme, në përvjetorin e 160 të miratimit të alfabetit të gjuhës shqipe, lidhet edhe me një moment, kur shqipja bëhet faktikisht edhe përmes kësaj date të veçantë, një përkatësi e të gjithëve ne. Një përkatësi e jona, që nuk e heq dot dhe nuk na vjen kërcënimi vetëm nga vetvetja, lidhur me këtë, por shumë shpejt do të jetë gjuhë zyrtare në BE”.
Sipas kreu të qeverisë, “në mos gjuha më e lashtë e kombeve evropiane, do të rreshtohet ndër më të rrallat e të veçantat mes tyre”.
“Ky Kuvend vjen edhe si një produkt si samiti i tretë i diasporës, ku shqipja ishte një nga temat kryesore dhe nga ku ne dolëm së bashku me gjithë atë komunitet në disa përfundime dhe morëm disa vendime. Në zinxhirin e historisë sonë, ka pasur disa besëlidhje. Pjesë e zinxhirit të besëlidhje është edhe dita e Kongresit të Manastirit, ku një grup shqiptarësh patën vizionin, guximin dhe patën vullnetin t’u japin shqiptarëve, atëherë dhe përgjithmonë, alfabetin e tyre, në kushtet kur nuk ishte aspak e lehtë”.
Gjatë hapjes së Kuvendit, u dhanë mesazhe dhe nga akademikë dhe përfaqësues të institucioneve të Arsimit të lartë.
Kuvendi Kombëtar për Gjuhën Shqipe, organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, do të zhvillohet në dy dite me 21 dhe 22 nëntor.
Ky aktivitet gjithëpërfshirës është konceptuar si një hapësirë diskutimi për sfidat dhe mundësitë e gjuhës shqipe në epokën moderne, duke bashkuar figura të shquara nga qeveria, arsimi, gjuhësia, letërsia, kërkimi shkencor dhe komunikimi publik, si dhe të rinj, nxënës dhe gjimnazistë.