Pas një viti hetimesh, Prokuroria e Posaçme në Shqipëri (SPAK), ka goditur një rrjet ndërkombëtar të trafikimit të kokainës nga Amerikës Latine që shpërndahej në tregun evropian. Shtatë shtetas shqiptarë dhe tre latino-amerikan nga Kolumbia dhe Venezuela janë arrestuar.

Gjithashtu, gjatë këtij aksioni është sekuestruar një laborator i sofistikuar për përpunimin e kokainës, në një fshat të Fushë Krujës, afër aeroportit të Rinasit, por edhe portit të Durrësit.

Autoritetet shqiptare kanë zbuluar edhe dy ambiente ndihmëse të laboratorit, njëri në Tiranë dhe tjetri në Durrës.

Në njoftimin e SPAK-ut theksohet se u sekuestrua material i papërpunuar prej 48 tonësh (rreth 850 lëkurë gjedhi) ku dyshohet se fshihej lëndë narkotike, të importuara nga Amerika Latine në shtator dhe nëntor.