Reperi nga Shqipëria, Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi, është liruar nga paraburgimi ku mbahej në Pejë, pasi u dorëzua të premten e 1 nëntorit në mëngjes, teksa ishte i shpallur në kërkim.

Stresi qëndroi rreth 48 orë në paraburgim. Ndërsa, lajmin për lirimin e tij, e bëri me dije vetë, përmes një publikimi në mediat sociale.

Në mesazhin e shkurtër, ai bën me dije se do të jetë gjatë natën në një klub nate në Tiranë, duke përmendur kështu rikthimin e menjëhershëm në skenën muzikore, pas një mungese disa-mujore, kur ndodhej në arrati.

Më 6 gusht të këtij viti, Policia e Kosovës e kishte shpallur në kërkim Stresin, meqë dyshohet se është i përfshirë në një përleshje të rëndë që ndodhi në një diskotekë në Pejë.

Ai, reperi tjetër, Rigels Rajku, që njihet me emrin skenik Noizy, si edhe individë të tjerë, dyshohen se rrahën brutalisht dy persona.

Noizy ishte arrestuar më 7 gusht në Shëngjin. Arrestimi i tij ishte bërë nga Policia e Lezhës, por ai ishte liruar nga paraburgimi me vendim të Gjykatës së Durrësit, pasi kishte ofruar garanci pasurore prej 5 milionë lekësh.