Një sulm masiv me raketa dhe dronë nga Rusia ka goditur infrastrukturën energjetike të Ukrainës, duke shkaktuar bllokime të energjisë elektrike dhe viktima, sipas BBC-së, përcjell Klan Kosova.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, raportoi se të paktën 10 persona humbën jetën në sulmet që goditën kryeqytetin Kyiv dhe disa rajone të tjera, përfshirë Donetsk, Lviv dhe Odesa.
Kompania më e madhe private energjetike në Ukrainë, DTEK, tha se impiantet e saj termike pësojnë “dëm të konsiderueshëm”, duke çuar në ndërprerje të energjisë elektrike.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë deklaroi se kishte arritur të gjitha objektivat e saj, duke theksuar se sulmi kishte për qëllim “infrastrukturën energjetike esenciale që mbështet kompleksin ushtarako-industrial ukrainas”.
Ndërkohë, Zelensky tha se Rusia po tenton të frikësojë popullin ukrainas duke i privuar nga drita dhe ngrohja.
Në qytetin e Odesës, sulmet shkaktuan bllokime të gjerë të energjisë dhe ndërprerje të furnizimit me ujë dhe ngrohje, megjithatë ky i fundit po kthehej gradualisht. Në qytetin Mykolaiv, rajoni ishte gjithashtu i goditur, por banorët mbeten të vendosur për të mbrojtur shtëpitë e tyre, tha lideri i rajonit Vitaliy Kim. Pavarësisht dëmeve të shkaktuara nga raketat dhe dronët rusë, autoritetet ukrainase kanë arritur të mbajnë funksionimin e spitaleve dhe infrastrukturës kritike përmes gjeneratorëve.