Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, që është edhe kryetar i Aleancës për Shqiptarët, në intervistë për RTSH, ngriti një çështje të rëndësishme për sa i përket debatit të fundit për gjuhën shqipe.

Taravari mes tjerash tha që sfidë e tyre mbetet largimi i 20% si çështje që nuk u ngrit asnjëherë nga Ahmeti.

“Për neve si VLEN vazhdon të mbetet sfidë largimi i 20% nga Kushtetua, një çështje që asnjëherë nuk është ngritur nga BDI. E kjo shumë lehtë vërtetohet. Ju lutem ma gjeni vetëm një deklaratë hiç më shumë vetëm një deklaratë ku zoti Ahmeti flet për largimin e 20% nga Kushtetuta si përkufizim ofendues për gjuhën shqipe. Pra, nuk ka një të tillë për BDI-në largimi i 20% ishte çështje e parëndësishme”, tha Taravari.

Taravari theksoi që gjuha shqipe do të jetë zyrtare vetëm kur do të figuron edhe në Kushtetutë, deri tani nuk kemi një gjë të tillë.

“Gjuha shqipe do të jetë zyrtare atëherë kur do të figurojë edhe në Kushtetutë si e tillë. E për këtë ne edhe kur ishim në opozitë kemi kushtëzuar që kur të hapet Kushtetuta ne do të kërkojmë edhe largimi e këtij përkufizimi. Kemi akoma të njëjtën qëllim që në momentin kur të hapet Kushtetuta gjithsesi se duhet të rregullohet njëherë e përgjithmonë statusi i gjuhës shqipe. Edhe politikanët maqedonas të gjithë shprehen të mendimit se nuk kanë asgjë kundër gjuhës shqipe e kjo vetëm duhet të vitalizohet”, tha Taravari në RTSH.