Prokuroria Themelore Publike në Gostivar ka lëshuar Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër një të dyshuari për veprën penale – Vrasje sipas nenit 123 paragrafi 1 në lidhje me nenin 19 (në tentativë), si dhe për Prodhim, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregti të paautorizuar me armë ose lëndë shpërthyese, sipas nenit 396 paragrafi 3 të Kodit Penal.

Më 22 nëntor, i dyshuari, me një pistoletë që e posedonte pa leje, tentoi t’i merrte jetën një personi që kishte ardhur në dyqanin e tij për pjesë automjetesh për të rregulluar automjetin e tij.

Gjatë rregullimit të automjetit, mes tyre shpërtheu një debat verbal, pas të cilit i dëmtuari e shtyu të dyshuarin drejt automjetit për ta detyruar ta rregullonte atë. Por, i dyshuari, i revoltuar, hyri në shtëpi, mori një pistoletë “Crvena Zastava” me kalibër 7.65 mm, të cilën e posedonte pa leje, dhe qëlloi një herë drejt të dëmtuarit. Nuk e goditi, ndërsa plumbi përfundoi në derën e automjetit.

Duke qenë se ekzistojnë baza ligjore, prokurori publik i ka paraqitur gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Gostivar një propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.