Opsioni do të jetë mjaft i dobishëm për këdo që është në lëvizje apo në vende me zhurmë dhe s’mund të dëgjojë dot mesazhin zanor.

Përditësimi mundëson transkriptimin e zërit në tekst që të ndiqni bisedën kur s’mundni (apo s’doni) ta dëgjoni mesazhin. WhatsApp thotë se transkriptet gjenerohen në pajisjen tuaj dhe s’mund të lexohen nga të tjerët.Për ta provuar opsionin e ri, shkoni në seksionin Chats te Settings dhe klikoni Voice message transkripts për ta aktivizuar. Nga aty, mund të zgjidhni gjuhën e transkriptimit.

Pasi ta keni aktivizuar, mund të mbani shtypur një mesazh zanor dhe klikoni “transcribe”. Deri më tani s’do të transkriptojë ende çdo mesazh.

Transkriptimet do të jenë të disponueshme në të gjithë botën në disa gjuhë. Në iOS, varet nga versioni që keni. Për iOS 16+, përfshihen gjuhët: anglisht, spanjisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, japonisht, koreane, portugalisht, rusisht, turqisht, mandarine dhe arabisht. Në iOS 17+, veç këtyre përfshihen danisht, finlandisht, malajziane, norvegjisht, hollandisht, suedisht, hebraisht dhe tajlandeze.

Për ata që kanë Android, transkriptet janë në anglisht, portugalisht, spanjisht dhe rusisht. Sipas WhatsApp, në muajt në vijim do të përfshihen edhe gjuhë të tjera.