09:13 – Trumpi i thotë përkrahësve: “Zoti ma kurseu jetën për një arsye”
Ish-presidenti Donald Trump mbërrin me ish-zonjën e parë Melania Trump dhe Barron Trump gjatë një eventi natën e zgjedhjeve në Qendrën e Konventave Palm Beach më 6 nëntor, në West Palm Beach, Florida. John Moore/Getty Images
Donald Trumpi ka mbajtur fjalimin e fitores në Florida pas rezultateve të fundit në zgjedhjet për president të SHBA-së.
Ai ka thënë para përkrahësve të tij se: “Zoti ma kurseu jetën për një arsye”.
“Dhe kjo arsye ishte për të shpëtuar vendin tonë dhe për të rikthyer Amerikën në madhështinë. Dhe tani ne do ta përmbushim atë mision së bashku”, deklaroi ai, njofton Klankosova.tv.
Trump pas fitores u drejtohet amerikanëve: Do të luftoj për ju me secilën frymë të trupit tim
Presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mbajti një fjalim emocionues përpara turmës së përkrahësve të tij në selinë qendrore të Trump Organization, e cila e priti me brohorima “USA, USA”.
Trump, i shoqëruar nga familja dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, nisi fjalimin duke falënderuar votuesit dhe ekipin e tij për mbështetje të palodhur.
Ai e cilësoi këtë moment si “lëvizjen më të madhe politike të të gjitha kohërave”, duke theksuar se ShBA-ja ka nevojë urgjente për t’u shëruar dhe për të rregulluar politikat e kufijve.
“Do t’i rregullojmë kufijtë”, tha Trump, ndërsa e cilësoi fitoren si një arritje të jashtëzakonshme për amerikanët.
Presidenti i ri theksoi se do të luftojë për qytetarët amerikanë me “secilën frymë të trupit të tij” dhe premtoi se do të krijojë një “epokë të artë” për vendin. Ai falënderoi bashkëshorten e tij, Melania Trump, për mbështetjen dhe punën e saj në ndihmën e të tjerëve, duke e cilësuar atë si autoren e librit më të shitur në ShBA.
“I kemi tejkaluar pengesat që kanë menduar se nuk mund të tejkalohen, por shihni çfarë ndodhi, kjo është e mrekullueshme. Do të luftoj me secilën frymë të trupit tim për ju. Kjo do të jetë epoka e artë e Amerikës. Kjo është fitore madhështore për amerikanët që na mundëson ta bëjmë Amerikën të mrekullueshme sërish. Do t’ju bëj krenar me votën tuaj”, deklaroi Trump.
Ai po ashtu shprehu optimizëm për katër vjetët në vijim, duke theksuar se do të punojnë për të rregulluar kufijtë dhe për të siguruar që njerëzit të vijnë në ShBA në mënyrë ligjore. Ai përfundoi duke u premtuar amerikanëve se kjo fitore është një mundësi për të bërë Amerikën të mrekullueshme sërish.
Donald Trump është president i 47-të i ShBA-së.