Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim ndaj Azem Sylës dhe 17 të akuzuarve tjerë në rastin “Toka”.

Ish-deputeti Syla, Gazmend Gashi, Avni Maxhuni, Elheme Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj, u liruan nga akuzat.

Ndërsa, Shaban Syla, Shpresim Uka, Lubisha Vujoviq, Ilaz Syla, Arton Vila, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Sabedin Haxhiu dhe Vidosav Novakoviq, u dënuan me 39 vjet burgim dhe 260 mijë euro gjobë (së bashku).

Aktgjykimi u shpall të enjten nga kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në këtë rast, të akuzuar janë: Azem Syla, Shaban Syla, Arton Vila, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Ramadan Mavraj, Ilaz Syla dhe Vidosav Novakoviq.

Sipas aktgjykimit, është vërtetuar tjetërsimi i pronave për disa të pandehur, ndërsa për disa të tjerë nuk është arritur të vërtetohet një gjë e tillë.

Azem Syla dhe Gazmend Gashi u liruan nga akuza për krim të organizuar dhe mashtrim. Po ashtu, Azem Syla, Shpresim Uka dhe Gazmend Uka lirohen nga akuza për shtytje në vepër penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Shaban Syla u shpall fajtor për krim të organizuar, legalizim të përmbajtjes së rreme, mashtrim dhe pastrim të parave në vazhdimësi, duke u dënuar me 7 vite burgim dhe 50 mijë euro gjobë.

I akuzuari Shpresim Uka u shpall fajtor për krim të oganizuar, legalizim të përmbajtjes së rreme, mashtrim dhe pastrim të parave në bashkëkryerje, ku u dënua me 7 vite burgim dhe 50 mijë euro gjobë.

I akuzuari Lubisha Vujoviq u shpall fajtor për krim të organizuar, mashtrim dhe legalizim të përmbajtjes së rreme dhe u dënua me 4 vite burgim dhe 20 mijë euro gjobë.

Për të akuzuarin Ndue Palushi është hudhur aktakuza për legalizim të përmbajtjes së rreme, për shkak se ka arritur parashkrimi.

Kurse, i akuzuari Ilaz Syla u shpall fajtor për pikat 23 dhe 24 të aktakuzës për pastrim të parave, mashtrim dhe krim të organizuar, dhe u dënua me 3 vite burgim dhe 10 mijë euro gjobë.

I akuzuari Arton Vila u shpall fajtor për krim të organizuar dhe pastrim të parave, u dënua me 5 vite burgim dhe 40 mijë euro gjobë.