Ahmeti: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të thirrur njëanshëm debat publik për rinegociimin e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit është absurd
Keryetari i Bashkimit Demorkatik për Integrim, Ali Ahmeti mbrëmë në qytetin e Gostivarit ka mbajtur takim me qytetarët.
Siç informojnë nga BDI, ndër të tjera Ahmeti ka përmendur dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për debat publik për rishikimin e gjuhës shqipe , për të cilin ka reaguar ashpër.
Ahmeti ka potencuar se nuk guxon të preket Marrëveshja e Ohrit e as të cënohen të arriturat shqiptare.
Njoftimi i plotë:
Mbrëmë, në një tubim madhështor në Gostivar, Kryetari Ali Ahmeti dënoi ashpër vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të thirrur në mënyrë të njëanshme një debat publik për rishikimin e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit, duke e quajtur këtë veprim një akt absurd dhe të papranueshëm.
Marrëveshja Paqësore e Ohrit është një dokument historik, i cili i dha fund një lufte dhe krijoi themelet për një shoqëri të drejtë dhe të barabartë.
Ajo është një marrëveshje paqeje që nuk mund të vihet në pikëpyetje apo të rinegociohet nga askush, e aq më pak nga një organ që nuk ka as kompetencë dhe as legjitimitet për ta bërë këtë.
Ligji për Gjuhët, i cili është pjesë e Marrëveshjes së Ohrit, garanton të drejtat e barabarta për të gjithë qytetarët dhe përfaqëson një arritje të jashtëzakonshme për bashkëjetesën multietnike në Maqedoninë e Veriut.
Vendimi për të hapur debat mbi të është i barabartë me një përpjekje për të anuluar Marrëveshjen e Paqes dhe për të krijuar paparashikueshmëri për të ardhmen.
Ali Ahmeti theksoi se Marrëveshja e Ohrit është e paprekshme dhe çdo përpjekje për ta cenuar atë do të hasë në kundërshtimin e fortë të shqiptarëve dhe të BDI-së.
Ai u bëri thirrje të gjitha palëve politike, shoqërisë civile dhe qytetarëve të angazhohen për të mbrojtur këtë arritje historike dhe për të mos lejuar që përfitimet e paqes dhe stabilitetit të vihen në rrezik.
Marrëveshja Paqësore e Ohrit nuk është dhe nuk do të jetë objekt rinegocimi.
BDI mbetet e përkushtuar për të mbrojtur arritjet e shqiptarëve dhe për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme dhe të drejtë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.