Si kurrë më parë, Alketa Vejsiu ka rrëfyer detaje nga jeta e saj personale dhe profesionale. Në një intervistë përballë Arbana Osmanit, në emisionin “Mirëmbrëma yje”, dy moderatoret zhvilluan një bisedë të sinqertë me njëra-tjetrën.

Ndërsa foli për jetën profesionale, Alketa zgjodhi t’i përgjigjej për herë të parë pyetjes se si është njohur me bashkëshortin e saj.

Epo, le të themi se edhe kjo histori ishte e ndërthurur me punën.

“Historia lindi nga dëshira e madhe për të sistemuar nënën dhe vëllain me një shtëpi. Unë isha 19 vjeç bëja dhe dy punë, shkoja dhe në shkollë, te “Petro Nini”, kemi qenë në të njëjtin vit bashkë dhe duhet të merrja një kredi. Që të merrja një kredi duhet të bëja të paktën dy rroga që rroga ime të shkonte afërsisht 1 milion lekë. Mora kredinë kisha diku te 15 mijë euro të mbledhura, kisha fituar një çmim në një festival.

Kam prodhuar gjithmonë para, që fëmijë kam marrë një rrogë të mirë. Kisha 15 mijë dollarë të mbledhura nga disa festa që më ftonin, kisha fituar festivalin “Mikrofoni i Artë”, kisha fituar 5 mijë euro. Ndërkohë jetova, punoja dhe ndihmoja babain dhe vëllain. Me ato para shkova shumë krenare te banka. Mora paratë, kredinë dhe bleva shtëpinë.

Shkova bleva shtëpinë dhe aty me pronarin e pallatit ku ndërtohej, pasi pagova të gjitha faturat, vendosa që ta kem shokun e jetës dhe gjërat shkuan shumë bukur.”, tha ajo.

Po ashtu, Alketa rrëfeu se ky vit ka qenë i mbushur me lot për shkak të humbjes së babait, por siç ajo theksoi ka vendosur të buzëqesh në vijim si një mënyrë për të ruajtur kujtimin e të atit të ndjerë.

“Ky vit ka qenë i mbushur me lot. Kam qarë për atë baba që nuk jeton më, por sot dua të flas për të me buzëqeshje. Dua të tregoj gjithçka të bukur që më ka mësuar dhe trashëguar, pa lot.”, shtoi ajo.

Megjithatë, Alketa theksoi se i ati ndihej krenar për të dhe shprehej shpesh herë se ajo nuk e kishte zhgënjyer kurrë.